Kosovë, Haradinaj kërcënon Mustafën me arrestim; reagon kryeministri

Thellohen përplasjet mes kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe liderëve të subjekteve opozitare. Këtë herë shkak është bërë një deklaratë e kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, se nëse arrestohen deputetët e opozitës, atëherë populli do të arrestojë kryeministrin Mustafa.

Deklarata është pasuar nga një status në Facebook i kryeministrit, i cili riktheu në vëmendje akuzat për të cilat Haradinaj ishte ballafaquar në Gjykatën e Hagës.

Në statusin që e mohoi pak minuta më vonë, kryeministri kosovar shkruante se, sigurisht arrestimi i tij do të ndodhë në liqenin e Radoniqit, zonë kjo e kontrolluar nga Haradinaj në kohën e UÇK-së.

“Populli thotë se në Radoniq ka të burgosur të popullit”, thuhej në statusin e kryeministrit Mustafa, të cilin më vonë ai vetë e mohoi me arsyetimin se llogaria i është keqpërdorur.

E gjithë kjo nxiti reagimin e dytë të liderit të AAK-së, i cili tha se për viktimat e Radoniqit, Gjykata e Hagës i ka gjetur fajtorët. “Ata janë gjeneralët serbë Gjorgjeviç e Llazareviç, të cilët mund t’i kesh njohur e bashkëpunuar me ta”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Në këtë temë menjëherë u përfshi edhe lëvizja Vetëvendosje. “Akuza për Radoniqin vjen prej Serbisë. Dhe tani edhe prej Isa Mustafës. Edhe pse e trajtuar ne Hagë, asnjëri prej këtyre nuk duket se ka hequr dorë”, shkroi në rrjetet sociale kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

Ky debat i ashpër mes liderëve partiakë e institucionalë ka nxitur reagimin e organizatave të shoqërisë civile, të cilat duke mbajtur një pozicion neutral kërkojnë nga subjektet politike që të lëvizin nga pozicionet e tyre ekzistuese, të cilat përveçse nuk prodhojnë zgjidhje, po përshkallëzojnë tensionin politik dhe e vënë në pikëpyetje perspektivën e vendit.

“Aktet e dhunës dhe gjuha nxitëse e shfaqur kohët e fundit kanë tensionuar situatën politike dhe paraqesin rrezik për përshkallëzim të mëtejshëm”, thuhet në reagimin e shoqërisë civile.

Në të kërkohet përfshirja e presidentes Jahjaga si garante e funksionimit të Kushtetutës së Kosovës, ndërsa vlerësohet pa rezultat thirrja e seancave plenare pa ndryshim të qëndrimeve dhe rrethanave politike.

Leave a Reply