Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një letre publike i është drejtuar tri forcave politike opozitare, Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës, që të mos bllokojnë më punën e Kuvendit.
Në letrën e tij, Veseli thotë se ngjarjet e fundit në Kuvendin e Kosovës kanë dërguar në botë mesazhe jo të mira për Kosovën, prandaj sipas tij, imazhi i vendit është dëmtuar dhe janë lëkundur edhe pozicionet e korrektësisë reciproke politike dhe fryma e bashkëpunimit, falë të cilës Kosova ka arritur suksese të përbashkëta historike.
Ai ka ftuar partitë opozitare që këtë javë, ose në një datë tjetër të përcaktuar, të mblidhen dhe së bashku në Kuvendin e Kosovës të debatojnë hapur dhe pa paragjykime për çështjet e ngritura nga partitë opozitare.
Mirëpo, partitë opozitare kanë refuzuar ftesën e Veselit. Deputeti i VV-së, Faton Topalli e ka cilësuar letrën si thirrje naive dhe përpjekje të dëshpëruar të kryeparlamentarit.
“Kjo letër nuk është e mirëpritur nga opozita, duke ditur rolin e Kadri Veselit në seancat e mëhershme dhe letra nuk i përgjigjet kërkesave të opozitës së bashkuar. E kemi thënë edhe më herët, nuk ka kuptim të diskutojmë në Kuvend për marrëveshjet që po cilësohen nga kryeministri si punë e kryer. Qeveria nuk po heq dorë nga marrëveshjet, as në këto momente kur Serbia po bën çmos që ta pengojë Kosovën në mekanizmat ndërkombëtarë”, tha Topalli.
Sipas deputetit, imazhin dhe kredibilitetin Kosovës ia ul krimi e korrupsioni, në kokën e të cilit sipas Topallit qëndron vetë Kadri Veseli dhe politikanët e tjerë të pushtetit.