Tashmë është e qartë; Barcelona dhe Madridi janë në përballje frontale. Parlamenti i Katalonjës votoi me 72 vota pro dhe 63 kundër, një rezolutë që cilësohet prej partive pro shkëputjes nga Mbretëria e Spanjës, si hapi i parë i mëvetësisë.
“Krijimi i një shteti katalans, të pavarur dhe republikan”, thuhet ndër të tjera në rezolutë. Ajo që partitë pro ndarjes e quajnë “shkëputja demokratike” (desconnexio democratica), nënkupton ngritjen e strukturave dhe institucioneve të një shteti mirëfilli të pavarur, përmes miratimit me shpejtësi dhe në mënyrë progresive të ligjeve përkatëse për funksionimin e tyre.
Vota në Parlamentin rajonal u prit me brohori dhe duartrokitje nga mijëra mbështetës të pavarësisë që ishin mbledhur para godinës së ligjvënësve.
Megjithatë, Madridi nuk do të qëndrojë duarkryq përballë kësaj situate. “Do të përdorim të gjithë forcën e ligjit dhe të demokracisë”, tha kryeministri Mariano Rajoy, duke shtuar se do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese të vendit rezolutën katalanase.
Në Kushtetutën e Mbretërisë së Spanjës rajoneve të vendit u ndalohet shkëputja e njëanshme, por rezoluta katalanase ka menduar edhe për këtë detaj. Në të parashikohet mosbindje civile dhe shfuqizim i të gjitha fuqive juridike të ligjeve dhe kushtetutës së Mbretërisë, e madje Gjykata Kushtetuese e Spanjës cilësohet si jolegjitime dhe vendimet e saj pa fuqi në rajonin e Katalonjës.
Lëvizjet për mëvetësi në Katalonjë nuk janë një risi, por vetëm në zgjedhjet e fundit partitë pro shkëputjes mundën të siguronin shumicën për të votuar në parlamentin rajonal një rezolutë të këtij lloji.
Analistët spanjollë dhe ndërkombëtarë rritjën e votës për mbështetësit e pavarësisë e interpretojnë më shumë si kundërshtim ndaj masave shtrënguese ekonomike sesa një votë patriotike.
Në fakt, Katalonja është rajoni më i pasur i Spanjës dhe që kontribuon më së shumti në buxhetin e qeverisë qendrore. Shkëputja e saj, do të ishte një goditje e rëndë për financat e topitura të qeverisë së Madridit, sidomos në këto kohë krize.