Aktivistë të shoqërisë civile protestuan të hënën në Prishtinë kundër, siç thanë, gjuhës seksiste të profesorit të Universitetit të Prishtinës, Ardian Kastrati, njëherësh deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.
Një ditë më herët, Kastrati bëri një postim në Facebook, duke përshkruar fizikun e një gruaje të shëndoshë, për të cilin tha se është satirë e shkrimtarit Faik Konica.
Shkrimi, që më pas u fshi, u konsiderua si ofendim ndaj presidentes së porsazgjedhur të Kosovës, Vjosa Osmani.
Ndonëse Kastrati tha se nuk ka pasur qëllim ofendimin e askujt, protestuesit kërkuan përjashtimin e tij nga Universiteti i Prishtinës.
“Kjo gjuhë, e cila prodhon gjuhë të urrejtjes, është një ndër shkaktarët kryesorë të nënshtrimit të grave, dhunës dhe vrasjes së tyre. E, kur kjo bëhet nga personat publikë, e aq më shumë personat universitarë, kjo gjë është e patolerueshme dhe duhet të dënohet”, tha aktivistja Liridona Sijarina.
Reagime kundër Kastratit ka pasur edhe në mediat sociale.
Kuvendi i Kosovës votoi të dielën për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente, me mandat pesëvjeçar.
Në seaancë nuk morën pjesë deputetët e partisë së Kastratit, e as ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Listës Serbe.
Osmani është gruaja e dytë që zgjidhet në krye të shtetit, pas Atifete Jahjagës.