Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar këtë të hënë formularët e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë në Kosovë.
Nga deklarimet që kanë bërë krerët më të lartë të shtetit, rezulton se Presidentja Atifete Jahjaga ka më shumë parà “cash”, apo të gatshme për t’i përdorur në çdo moment, në llogarinë e saj bankare.
Jahjaga ka deklaruar se ka 85 mijë e 960 euro gjendje, ndërsa bashkëshorti i saj, sipas formularit të pasurisë, ka vetëm 413 euro.
Duke qenë se Jahjaga mban parà “cash” në bankë, kuptohet që ajo nuk ka prona të paluajtshme, siç ndodh me kryeministrin Isa Mustafa, i cili ka gjithashtu edhe aksione në vlerën e 80 mijë eurove.
Në formularin e deklarimit të pasurisë, Mustafa ka bërë publike se zotëron tokë të trashëguar, në një vlerë prej rreth gjysmë milionë eurosh, ndërsa paràtë “cash” në bankë i ka deklaruar në rreth 82 mijë euro.
Pavarësisht emërimit si kryeministër, Mustafa ka deklaruar edhe të ardhura të tjera, nga pagat që ka marrë prej Akademisë së Shkencave të Kosovës, në vlerën e 12 mijë eurove në vit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili për herë të parë është dashur ta deklarojë pasurinë e tij, ka bërë të ditur se ka dy banesa, njëra e tij dhe tjetra e bashkëshortes, që arrijnë vlerën totale prej mbi 200 mijë eurosh. Të ardhurat vjetore nga pagat si kryeparlamentar, Veseli i ka paraqitur në mbi 32 mijë euro.
Edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi e ka paraqitur pasurinë e tij, njësoj sikurndër vitin e kaluar, pa shënuar ndonjë rritje apo ndonjë blerje prone të paluajtshme. Thaçi ka deklaruar se ka 1.900 euro, të vetat, si dhe 6.950 euro, të bashkëshortes në bankë. Megjithatë, Thaçi ka një kredi 100 mijë euroshe, në një afat prej 120 muajsh, për ndërtimin e shtëpisë.
Të ardhurat vjetore të tij shkojnë në 14 mijë e 169 euro, ndërsa në 18 mijë euro arrijnë pagat vjetore të bashkëshortes së tij, e cila punon si profesoreshë në një kolegj privat.
Sipas ligjit, deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë, këtë vit e kanë pasur për detyrim ta bëjnë 4 mijë e 200 zyrtarë, ndërkohë që e kanë përmbushur vetëm 4 mijë e 125, ose rreth 98.3 për qind.