KQZ, debat për kohën televizive në fushatë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u përfshi edhe në debatin për pasqyrimin mediatik të fushatës elektorale, ku veçanërisht televizionet informative shfaqin diferenca të minutazhit mes PS dhe PD.

Ndryshimi ndodh vetëm për transmetimet e direkte dhe jo për kronikat, dhe kjo për shkak të mungesës së transmetimeve direkte nga ana e Partisë Demokratike, e cila nuk e shfaq të plotë aktivitetin elektoral, duke krijuar diferencë të kohës së ofruar për transmetim televiziv me PS.

Pavarësisht kësaj, anëtarët e emëruar nga opozita në Bordin e Monitorimit të Medias i propozuan KQZ-së gjobitjen e tyre.

Përfaqësuesit e mazhorancës në institucionin më të lartë zgjedhor deklaruan pamundësinë e operatorëve televizivë për të barazuar kohën televizive mes subjekteve politike, ndërsa Kodi Zgjedhor flet për penalizim në kushtet e një favorizimi të qëllimshëm të një partie nga një televizion.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi t’u japë një javë kohë operatorëve televizive për të balancuar kohën televizive mes partive politike.

Por ajo që Kodi Zgjedhor nuk ka parashikuar është si zgjidhet kjo situatë, kur vetë partitë në mënyrë të vullnetshme nuk ofrojnë aktivitete elektorale të plota, nga takimet e tyre gjatë fushatës zgjedhore.

Raporti flet vetëm për javën e parë të fushatës, ndërkohë që janë vërejtur edhe probleme në monitorimin jo të saktë të kohës në ndonjë rast, për të cilat Bordi pritet të bëjë korigjimet.

Nga raporti, Top Channel rezulton televizioni më i balancuar në pasqyrimin e fushatës së dy koalicioneve të mëdha.

Leave a Reply