Krahu ushtarak i Hamasit paralajmëron Izraelin për sulmet në Kudsin Lindor

Brigadat Izz ad-Din al-Kassam nuk do të qëndrojnë duarkryq përballë sulmeve në lagjen Sheikh Jarrah, thuhet në deklaratën me shkrim të komandantit të brigadave Mohammed Deif, i cili është i kërkuar nga Izraeli për një kohë të gjatë.

“Ata do të paguajnë një çmim të rëndë”, tha ai duke shtuar se po ndjekin nga afër zhvillimet. Ai gjithashtu përgëzoi popullin palestinez për qëndrimin e vendosur në Kudsin e okupuar.

Të hënën, 10 palestinezë u plagosën në një përleshje me policinë izraelite në Kudsin Lindor gjatë një demonstrate solidariteti me banorët e lagjes Sheikh Jarrah, sipas Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.

Gjykata Qendrore e Izraelit në Kudsin Lindor miratoi një vendim për dëbimin e shtatë familjeve palestineze nga shtëpitë e tyre në favor të kolonëve izraelitë që nga fillimi i këtij viti.

Që nga viti 1956, gjithsej 37 familje palestineze kanë jetuar në 27 shtëpi në lagje. Megjithatë, kolonët e paligjshëm hebrenj janë përpjekur t’i dëbojnë ata mbi bazën e një ligji të miratuar nga parlamenti izraelit në vitin 1970.

Palestinezët thonë se ata ndërtuan shtëpitë e tyre në vitin 1956 në bazë të marrëveshjes me qeverinë jordaneze dhe Agjencinë e OKB-së për refugjatët UNRWA.

Qindra mijëra palestinezë u detyruan të largoheshin nga fshatrat dhe qytetet e tyre në Palestinën historike në vendet fqinje, përfshirë Jordaninë, Libanin dhe Sirinë në vitin 1948.

Banorët e pjesës tjetër të palestinezëve e gjetën veten të zhvendosur në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor pas sulmeve në rritje nga bandat sioniste për të hapur rrugën për krijimin e shtetit të Izraelit.

Palestinezët përdorin termin “Nakba” në arabisht ose “Katastrofa”, për t’iu referuar dëbimeve të vitit 1948 nga bandat sioniste.

Konflikti palestinezo-izraelit daton që nga viti 1917 kur qeveria britanike, në Deklaratën e famshme të Balfourit kërkonte “që në Palestinë të krijohet një atdhe kombëtar për popullin hebre”.

Leave a Reply