Seanca gjyqësore që po zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda kundër një prej vëllezërve Aliko të arrestuar si të dyshuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, është ndërprerë për shkak të moshës së mitur të të pandehurit.
Alban Aliko është vetëm 17 vjeç dhe për këtë arsye, përpara sesa t’i komunikohej masa e sigurisë, avokati mbrojtës ka kërkuar një psikolog, e për të rinisur seancën ndoshta në një moment të dytë gjatë ditës së sotme.
Ndërkohë, po sot pritet të dalë para gjyqtarëve edhe vëllai i madh i tij, Arbion Aliko, teksa mbi të dy këta shtetas rëndojnë jo vetëm akuza e vrasjes së efektivit të RENEA-s, por edhe akuza të tjera si armëmbajtja pa leje.
Dy vëllezërit u arrestuan mbrëmjen e vonë të së shtunës, teksa u rrethuan pranë urës së Kardhiqit në Gjirokastër, pas një operacioni të gjatë të forcave speciale, të ndihmuar edhe nga një helikopter i ushtrisë.