Ekspertët mjekësorë po venë në dyshim vendimin e djeshëm të Donald Trump për të përshëndetur mbështetësit në një rrugëkalim jashtë spitalit ku ai po trajtohet për Covid-19. Trump bëri një shkrim në Twitter, ku deklaroi se ai do të linte spitalin Walter Reed, për të bërë një “vizitë befasi”, për mbështetësit e tij jashtë.
Presidenti u pa brenda makinës duke mbajtur maskë dhe duke përshëndetur me dashamirësi njerëzit në rrugë. Ai ishte i shoqëruar nga dy persona, që ishin po ashtu të veshur me mjete mbrojtëse.
Megjithatë, ekspertët shëndetësor thanë se udhëtimi i shkurtër i presidentit me makinë, ka thyer këshillat e shëndetit publik për karantinë dhe mund të ketë vendosur në rrezik të infektimit agjentët e Shërbimit Sekret brenda automjetit. Ndërsa, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere tha se udhëtimi i së dielës ishte “parë nga ekipi mjekësor si i sigurt”.
Presidenti amerikan ka qenë në spital që nga e premtja, pak kohë pasi kishte njoftuar së ka dalë pozitiv me Covid-19. Përveç Trump, edhe një numër i madh përreth tij si ndihmës dhe senatorë republikanë, përfshirë bashkëshorten Melania Trump, kanë dale pozitiv me koronavirus. Kujtojmë se infektimi i Trump me virus, vjen pikërisht në mes të fushatës së tij zgjedhore, para përballjes së madhe që do të ketë me sfiduesin demokratik Joe Biden në 3 Nëntor.
Sipas Universitetit Johns Hopkins, deri tani gati 7.4 milion njerëz janë infektuar dhe 210,000 njerëz kanë humbur jetën nga koronavirus në të gjithë SHBA.