Kritikohet Tesla për hapjen e një dyqani në Xinjiang

Zyrtarët kinezë akuzohen se abuzojnë me anëtarë të minoritetit Ujgur

Kompania amerikane e prodhimit të makinave, Tesla, është kritikuar në Shtetet e Bashkuara për hapjen e një dyqani për ekspozim të produkteve të saj. Në këtë rajon, zyrtarët kinezë akuzohen se abuzojnë me anëtarë të minoritetit Ujgur.

Tesla, e udhëhequr nga miliarderi, Elon Musk, ka njoftuar se do të hapë dyqanin në Urumqi, Xinjiang, një javë pasi Presidenti amerikan, Joe Biden, ka nënshkruar një legjislacion që u kërkon kompanive të vërtetojnë se mallrat e importuara nga Xinjiang, nuk janë produkt i punës së detyrueshme.

Shtetet e Bashkuara, disa vende të Perëndimit, dhe grupe për të drejta të njeriut, akuzojnë Kinën se ka kryer gjenocid kundër Ujgurëve dhe minoriteteve tjera myslimane në Xinjiang përmes punës së detyrueshme, kontrollimit të popullsisë dhe eliminimit të besimit dhe kulturës në mesin e minoritetit.

Nga ana tjetër, Pekini mohon akuzat, duke thënë se udhëheq “kampe të riedukimit” për të luftuar ekstremizmin islamik. Përmes një deklarate, Këshilli për Marrëdhënie Amerikano-Islamike, i ka bërë thirrje kompanisë Tesla, që të mbyllë dyqanet dhe atë “që është e barabartë me mbështetje ekonomike për gjenocid”.

Tesla nuk ka bërë ende ndonjë koment publik për këtë gjë.

Leave a Reply