Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, njëherësh kritik i zëshëm i Kremlinit, tha se ka mbyllur Fondacionin e tij Kundër Korrupsionit, të cilin, për gati një dekadë, e ka shfrytëzuar për zbulimin e keqbërjeve nga autoritetet ruse.
Navalny shkroi në ueb-faqen e tij se është detyruar ta mbyllë organizatën, për shkak të një procesi gjyqësor, të ngritur nga një kompani ushqimore e shkollave në Moskë, e cila ka lidhje me biznesmenin Yevgeny Prigozhin.
Prigozhin thuhet se është bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin.
“Ne do të kalojmë në një entitet tjetër juridik, le të merren Putini dhe Prigozhini me të”, tha Navalny.
Në tetor të vitit 2019, një gjykatë në Moskë ka urdhëruar Navalnyn, aktivistin e opozitës, Lyubov Sobol, dhe Fondacionin Kundër Korrupsionit të paguajnë 88 milionë rubla (1.2 milion dollarë) pas një procesi gjyqësor të ngritur nga kompania “Shkollat e Moskës”, e cila furnizon me ushqime shkollat dhe kopshtet e kryeqytetit rus.
Në qendër të problemit ishte një video me pretendimet se kompania nuk i respektonte standardet sanitare, kishte dokumente të falsifikuara dhe i furnizonte kopshtet dhe shkollat me ushqime me cilësi të dobët.
Gjykata ka konstatuar se videoja e ka diskredituar reputacionin e biznesit të kompanisë dhe ka nxitur një klient që ta linte atë.
“Nuk ka asgjë që mund të bëni për mua dhe Sobolin. Shuma [e dënimit] është e madhe dhe unë nuk shoh ndonjë arsye për të provuar për ta mbledhur atë. Deri në fund të pushtetit të Putinit, ne do të duhet të jetojmë me llogari të bllokuara dhe përmbarues që konfiskojnë pronën tonë, në favor të Kuzhinierit të Putinit”, tha Navalny.
Prigozhin përmendet shpesh me pseudonimin e tij: Kuzhinier i Putinit. /REL