Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka zhvilluar një takim me Kryeministrin e Turqisë, Ahmet Davutoglu, duke mbyllur kështu serinë e vizitave në disa prej shteteve më të prekura nga kriza e emigrantëve në prag të samitit të refugjatëve që do të mbahet më 7 mars në Bruksel.
Ai përsëriti edhe njëherë mesazhet e unionit, ku kërkoi që qeveria e Ankarasë të ishte më bashkëpunuese në menaxhimin e krizës, të punonte më shumë për implementimin e marrëveshjes si dhe të parandalonte emigracionin e jashtëligjshëm në brigjet e Egjeut.
Tusk: Ne kemi të njëjtit mendim se fluksi i emigrantëve është tepër i lartë dhe se nevojiten përpjekje më të mëdha për të menaxhuar krizën. Është në dorën e Turqisë që të gjykojë nëse është respektimi i marrëveshjes së firmosur me BE-në është në përputhje me interesat. Duhet të marrim masa të menjëhershme për të parandaluar trafikantët që transportojnë emigrantë në mënyrë të jashtëligjshme.
Nga ana tjetër, Kryeministri Davutoglu vlerësoi edhe marrëveshjen e armëpushimit në Siri, duke thënë se ndalimi i sulmeve në Lindjen e Mesme mund të çonte në reduktimin e fluksit të azil-kërkuesve. Ai gjithashtu konfirmoi se Turqia është e vendosur që të respektojë marrëveshjen e arritur me zyrtarët e Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, situata vijon të mbetet e rënduar në kufirin greko maqedonas, ku afro 8500 refugjatë kanë mbetur të bllokuar. Autoritetet thonë se gjithçka po shkon drejt përkeqësimit, në kushtet kur mijëra emigrantë vijojnë të mbërrijnë në ishujt grekë dhe në portin e Pireut./Ora News/