Kultura dhe siguria nacionale

Letër nga Prishtina

Fill pas fillimit të agresionit rus mbi shtetin e Ukrainës, u vërejt mirëfilli se sa është e nevojshme siguria nacionale dhe gatishmëria e sigurisë shtetërore për çdo eventualitet! Qeveria e Kosovës dëgjoi ca zëra kombëtarë dhe pa kurrfarë mëdyshje themeloi “Fondin e Sigurisë”. Kryeministri Kurti tha se “në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatën aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar Ministrinë e Financave për themelimin e “Fondit të Sigurisë”! Po ashtu, kryeministri ka ftuar qytetarët, bashkatdhetarët në diasporë dhe donatorët për të kontribuar në sigurinë shtetërore.
Ndonëse ndërgjegjësimi i popullatës nuk është ai i viteve ’90, kur funksiononte “Fondi i Rugovës, 20% nga të ardhurat mujore” dhe më vonë edhe Fondi i UÇK-së “Vendlindja thërret”, kësaj radhe mund të dështojmë e të turpërohemi! Nuk vërehet askund ndonjë fushatë për sensibilizim, nuk vërehet askund ndonjë brengë serioze për kanosjen reale kundër Kosovës, nuk vërehet askund ndonjë iniciativë shtetërore për të tubuar sa më shumë fonde, sepse 100 milionët e Qeverisë së Kosovës për buxhetin e FSK-së janë të barasvlershme me shpenzimet vjetore që prindërit i bëjnë për smoki e çipsi për fëmijët e tyre.
Në mbrojtjen territoriale të Ukrainës u vërejt se aeroplanët e tanket nuk janë më të rëndësishëm se raketahedhësit e dorës si dhe dronët! Për këtë qëllim, a mundet që barra e donacionit të bie vetëm mbi mërgatën tonë, vetëm mbi bizneset dhe patriotët që heqin nga goja edhe bukën e gojës! Po ata këngëtarë dasmash që paguhen nga 6-10 mijë euro për një natë? Po ato familje që janë në gjendje të paguajnë turlifarë “çjerrësi muzikor” për dasmë e dëfrime të të rinjve? Pse dikasteret përkatëse nuk organizohen dhe të kërkojnë nga institucionet kulturore nacionale aktivitete të bujshme dedikuar këtij Fondi të Sigurisë?
Ansamblet kombëtare, folklorik, teatrot që të gjithë duhet të shtojnë aktivitete, të zbresin në popull, t’i argëtojnë, paratë e grumbulluar t’ia dedikojnë Fondit. Kur popullata të merr vesh se po zhvillohen aktivitete të tilla, do të shtohet edhe më shumë numri i biletave të shitura. Do të organizoheshin qindra e qindra koncerte, dhjetëra shfaqje teatrale. Të hapen ankandet publike për blerje të pikturave, skulpturave, të ftohen sa më shumë artistë në ankande të tilla. Të gjitha shkollat e Kosovës, të organizojnë tubim njëditor të “parave të vogla” me qëllim që të blejnë sa më shumë libra për bibliotekat shkollore nga shtëpitë botuese dhe të gjitha këto para të derdhen si “kontribut i librit” në këtë Fond.
Aktivitetet e tilla të shtrihen edhe nëpër viset e tjera etnike, në diasporë, gjithandej! Artistët shqiptarë me renome ndërkombëtar, gjithashtu, të ftohen dhe të luten që ndonjë nga koncertet e tyre të rezervuara muaj e vite më parë, paratë e fituar t’i dedikojnë Fondit! Këtë aksion shtetëror duhet ta përshkojë një frymë dhe një ndjenjë e veçantë patriotike dhe jo të bëhet si “sekret shtetëror”!
Asnjë nga artistët, asnjë nga këngëtarët, asnjë nga ansamblet e teatrot nuk do t’i përtonin një aktiviteti të tillë patriotik, vetëm se duhet t’i organizojë e t’i motivojë dikush, t’ua kërkojë këtë gjë në emër të shtetit e të kombit, të ndjehet angazhimi shtetëror për sensibilizim gjithëkombëtar! Nëse brenda vitit nuk katër-pesëfishohet në këtë Fond buxheti vjetor i FSK-së, duhet llogaritur iniciativën e Qeverisë si të dështuar, duhet të na kapë paniku dhe zhgënjimi nga vetëdija kombëtare e artistëve tanë si dhe duhet të pajtohemi me konstatimin tendencioz se jemi “komb patriot” me bateria 1.5 v. Nuk është detyrë e shtetit që të themelojë një fond sigurie, por detyrë dhe obligim i institucioneve shtetëror është që një aksion i tillë të dalë përtej asaj që quhet “i suksesshëm” dhe të forcojë bindjen se shteti dhe qytetarët, kur është në pyetje siguria nacionale, janë një! /HEJZA/

Leave a Reply