“Kumanova”, familjarët e viktimave do të padisin Maqedoninë

Familjarët e kosovarëve të vrarë në Kumanovë mund ta padisin Maqedoninë për keqtrajtim të trupave të pajetë. Top Channel ka mësuar se, familjarët e 9 kosovarëve, sapo të varrosin trupat e viktimave do të bëjnë padinë në Shkup.
Për këtë çështje, familjarët e të vrarëve janë konsultuar me Ministrinë e Jashtme dhe atë të Drejtësisë në Prishtinë, të cilat u kanë premtuar ndihmë këshilluese për padinë.

Ndërkohë, ende nuk janë publikuar rezultatet e autopsisë së kryer në fundjavë, në Prishtinë. Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, tha se nuk i lejohet të flasë për gjendjen e kufomave, por faktin se në ç’gjendje janë dorëzuar trupat, atë e kanë parë edhe vetë të afërmit.

“Aspekti etiko-profesional nuk më lejon të flas për këtë çështje, por kemi qenë transparent për familjarët dhe ata kanë pasur mundësi, që vetvetiu të shohin çdo ndryshim në trupin e familjarëve të tyre të afërt”, tha Arsim Gërxhaliu, drejtor i Mjekësisë Ligjore, Kosovë.

Gërxhaliu bëri të ditur se, tanimë kanë përfunduar autopsitë dhe janë në pritje të rezultateve nga pala maqedonase për të bërë krahasimet.

“Është filmuar çdo gjë dhe do të jepen në raport në formë të shkruar. Më pas do t’i dorëzohen prokurorit të Shtetit. Ndërkohë, presim që të arrijnë gjatë kësaj jave edhe raportet nga pala maqedonase, për të bërë edhe krahasimin. Por medoemos, gjërat që ne kemi gjetur në trupat e viktimave do t’i shenjëzojmë, duke i hedhur më pas në raportin e shkruar”, tha më tej Arsim Gërxhaliu.

Tetë kosovarët e vrarë, që ndodhen në Mjekësinë Ligjore në Prishtinë, do t’u dorëzohen mëngjesin e së martës familjeve të tyre.

Gjatë ditës së hënë janë bërë edhe përgatitjet në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Prishtinë, ku do të prehen kosovarët e vrarë në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj.

Në nderim të të vrarëve, të martën duke nisur nga ora 14 do të bëhen homazhe në ndërtesën e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ndërsa në orën 15:30 do të mbahet një mbledhje përkujtimore, për të vazhduar te Varrezat e Dëshmorëve, në orën 17:00.

 

Leave a Reply