Pas debutimit zhgënjyes në Kupën e Amerikës, Argjentina arriti të merrte fitoren e parë, duke mposhtur 1-0 Uruguain.
Mjaftoi një gol i Agueros në minutën e 56 të ndeshjes që skuadra e drejtuar nga ‘Tata’ Martino të merrte 3 pikët mëse të nevojshme për të kaluar grupin.
Edhe pse në fushën e lojës zbritën lojtarë si Messi, Di Maria, Aguero apo Pastore, pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me rrjeta të paprekura.
Ndërkohë në 45 minutat e dyta, argjentinasit ishin më kërkues dhe arritën të gjenin golin në minutën e 56. Aguero e shfrytëzoi më së mirë një krosim nga Zabaleta, duke e dërguar topin në rrjetën e Uruguait, që në këtë ndeshje i mungoi Suarez.
Pavarësisht përpjekjeve të Argjentinës për të gjetur golin e dytë, ndeshja u mbyll me rezultatin 1-0.
Me këtë fitore Argjentina është ne vendin e parë në grup, me 4 pikë po aq sa ka edhe Paraguai. Ndeshja e ardhshme për ekipin e udhëhequr nga ylli i Barcelonës do të jetë në datën 20 ndaj Xhamajkës.