Shkëlzen Halimi
Gjithnjë e më shumë ngjarjet e ndryshme kulturore, përvjetorët, konferencat shkencore, promovimet e kështu me radhë po organizohen e zhvillohen, siç themi ndër ne, sa për sy e faqe. Tashmë është e dukshme injoranca dhe amatorizmi i skajshëm në organizimin e këtyre ngjarjeve kulturore. Promovimet organizohen me minimum audiencë, konferencat shkencore janë shndërruar në monologë të pjesëmarrësve, kurse përvjetorët mbahen pothuaj dhunshëm, sa për ta kaluar radhën. Pikërisht këto të meta me të madhe po vijnë e do të vijnë në shprehje për shkak të inflacionit të madhe të analfabetëve funksional, të cilët fatkeqësisht janë shpërndarë gjithandej institucioneve kulturore, arsimore e mediave. Në një medium shqiptar (radio) “gazetari” shqiptar në kontributin e vet, as mish as peshk, që bënte fjalë për themeluesin e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Shkup, mbiemrin e profesor Pjetër Janurës, do ta shqiptojë JANUARI. Ja pra ku kemi arritur. Sot, “gazetarët” kanë gjithçka, por nuk e kanë një gjë: informacionin, pa të cilën s’mund të bëjnë gazetari. Sot, kemi me qindra e qindra individë që kanë tituj shkencorë, por që as SH-në nuk e dinë nga shkenca. Gjithçka shqiptare po devalvohet, edhe atë me kontribut të vetë shqiptarëve. Organizohen konferenca, në të cilat marrin pjesë anonimët dhe injorantët, pa pasur as minimumin e bagazhit shkencor. Dhe, ata pa fajin e tyre dhe pa vetëdije (por që kanë një guxim të çuditshëm) sot i kemi në shumë institucione, të cilat nga dita në ditë vetëm fundosen, duke e humbur rrugën para këmbëve. Ky është realiteti shqiptar, mjerisht…