Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri, ku u gjet një laborator i kultivimit të marihuanës me 10 mijë fije të bimës.
Ai në një postim në Twitter ka shkruar se krimi po luftohet pa ndërprerë.
“Krimi do të luftohet pa ndërprerje. Në Izvor, qytet në veri të Kosovës, policia jonë gjeti laborator të rritjes së marihuanës me mbi 10.000 bimë ilegale. Pati të shtëna në drejtim të policisë dhe doganës, por ata janë të vendosur të vazhdojnë punën e tyre. Faleminderit për shërbimin tuaj”, ka shkruar ai.
Në aksionin e së hënës Policia e Kosovës ka shkatërruar dy laboratorë të drogës, një në veri të Kosovës dhe një në Ferizaj.
Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, deklaroi se në Izvor, në veri të Kosovës, që gjendet pranë kufirit me Serbinë, zyrtarët policorë dhe ata të doganave janë gjuajtur me armë zjarri.
“Aksioni po vazhdon me sukses pa asnjë lëndim apo dëm material”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Lista Serbe, ka “përshëndetur aksionin e policisë në veri”.
“Lista Serbe mirëpret aksionin e policisë nga Rajoni-Veri, i cili u zhvillua sot me qëllim të luftimit të krimit në fushën e narkotikëve, i cili në radhë të parë i mbron rininë dhe fëmijët tanë nga kjo murtajë që shkatërron çdo shoqëri”.
“Ky veprim tregoi se punonjësit e policisë së Qarkut-Veri kanë aftësinë dhe kapacitetin për tëaksioni kund kundërshtuar krimin. Shfrytëzojmë rastin të theksojmë se në emër të Listës Serbe dhe popullit tonë dënojmë veprime të tilla kriminale të individëve”, thuhet në njoftim./Telegrafi/