Kurti: Progresi i qëndrueshëm është ai i cili i bën bashkë demokracinë dhe shkencën

Ai tha se arsimi cilësor është çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e shoqëror, dhe se rritja në cilësi kërkon transformim në të gjitha nivelet e arsimit.

Ndërsa digjitalizimin në arsim e sheh si komponent kyç të reformës në këtë sektor, me ç‘rast përmendi drejtimet kryesore të digjitalizimit në kuadër të planit strategjik të arsimit si krijimi dhe funksionalizimi i një platforme digjitale gjithëpërfshirëse e të centralizuar, prodhimin e materialeve digjitale dhe krijimin e mekanizmave institucionalë që mundësojnë realizimin dhe përdorimin e teknologjisë në arsim.

“Përpos përmirësimin dhe avancimin e sistemit arsimor, nëpërmjet transformimit digjital dhe e-qeverisjes, ne po synojmë rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe përmirësimin e të gjitha shërbimeve tona ndaj qytetarëve dhe bizneseve”, u shpreh kryeministri Kurti.

“Progresi i qëndrueshëm është ai i cili i bën bashkë demokracinë dhe shkencën”, shtoi ai.

Më tej ai tha se për këtë transformim kërkohet një angazhim i përbashkët dhe i koordinuar ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.

“Andaj ky seminar është një mundësi e shkëlqyer për të punuar së bashku, edhe me hulumtuesit tanë në diasporë, për zhvillimin e aftësive digjitale, promovimin e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, si domosdoshmëri për rimëkëmbje të qëndrueshme”, u shpreh Kurti.

Në kuadër të këtij seminari prezantuan profesor dhe shkencëtarë të dalluar, bashkatdhetarë tanë dhe shkencëtarë nga FIEK.

Tematikat e prezantimeve ndërlidheshin me fushat e elektronikës, automatikës, robotikës, elektroenergjetikës, inxhinierisë kompjuterike dhe softuerike, teknologjive të informacionit dhe komunikimit.

Leave a Reply