Kurti: Qeveria Hoti të ndalë rekrutimet, nominimet dhe keqshpenzimet e parasë publike

Fituesi i zgjedhjeve, Albin Kurti, po thotë se secili emërim i nënshkruar pas rrëzimit të Qeverisë Hoti nga Gjykata Kushtetuese do të anulohet që në javën e parë të qeverisjes së tij.

Ai ka thënë se që kur u shpall jokushtetuese Qeveria Hoti u tregua shumë aktive në keqshpenzim të buxhetit dhe në emërime të personave të afërt me pushtetin, njofton Klan Kosova.

“Keqshpenzim të buxhetit nën maskën e përballjes me pandeminë, por kryekëput me synimin e ndikimit në mbështetjen elektorale. Vaksinat si parandaluesi kryesor i shpërndarjes së pandemisë nuk janë siguruar ende, ndërsa nuk dihet koha e fillimit të vaksinimit as sot e kësaj dite, një vit pas shpalljes së pandemisë, ndërkohë që kanë vazhduar me miratim të shpronësimeve për autostrada! Do t’i mungojnë buxhetit të vendit dhe qeverisë së re, mjete shumë të rëndësishme financiare që do ishin përdorur kryesisht për të garantuar stabilizim sa më të shpejtë të aktivitetit ekonomik”, ka shkruar Kurti.

“Emërime të përditshme nëpër pozita drejtuese të personave të afërt me pushtetin, me synimin që edhe përkundër humbjes së qeverisjes, të sabotojnë punën e qeverisë në ardhje duke i lënë ‘barrë’ të punës me drejtues që nuk janë pjesë e qeverisjes së re por potencial i pengimit të saj. Vrapi pas intervistimeve, nominimeve, rekrutimeve dhe emërimeve nëpër ndërmarrje publike (si në menaxhment të tyre ashtu edhe nëpër borde), agjencione ekzekutive, rregullatorë, klinika, apo drejtori e departamente ministrish nuk po ka të ndalur”.

“Dua të bëj shumë të qartë si për qeverisjen në ikje, ashtu edhe për personat që me ose padashje janë bërë pjesë e këtij keqpërdorimi të madh, se:1. Çdo intervistim, nominim, rekrutim apo emërim duhet të ndërpritet menjëherë dhe të mos vazhdojë deri në votimin e qeverisë së re. Secili emërim i nënshkruar pas rrëzimit të qeverisë anti-kushtetuese do të anulohet që në javën e parë të qeverisjes, dhe kjo vetëm mund të dëmtojë personat e përfshirë. 2. Secili vendim që ka nënkuptuar shpenzim të pakontrolluar të parasë publike pas rrëzimit të qeverisë anti-kushtetuese do të auditohet dhe për çdo keqpërdorim do fillohen procedurat normale të kërkimit të përgjegjësisë”.

Kurti ka thënë se vetëm institucionet e reja që burojnë nga vullneti i zgjedhjeve të 14 shkurtit kanë mandat të sigurojnë avancimin e institucioneve publike, përfshirë këtu edhe ndërmarrjet e rëndësisë së veçantë dhe rregullatorët apo agjencionet ekzekutive.

Leave a Reply