Kurti takon Varhelyin, zbatimi i Planit Ekonomik për Ballkanin ndër temat e diskutimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në Bruksel, Komisionarin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyin.

“Me Kryeministrin Albin Kurti para Këshillit të Stabilizim-Asociimit për Kosovën që mbahet sot. Diskutuam për rëndësinë e përshpejtimit të zbatimit të Planit Ekonomik dhe Investimeve për Ballkanin Perëndimor”, është shprehur Varhelyi.

“Më tej edhe për punën e reformave, përfshirë drejtësinë dhe luftimin e krimit të organizuar”.

Pas Varhelyi, është edhe Zyra e Kryeministri që ka njoftuar për takimin e zhvilluar.

“Në këtë takim u bisedua mbi marrëdhënien ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian në kontekstin e marrëveshjes kontraktuale të Stabilizim-Asociimit, si pjesë e procesit të integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, me theks te angazhimi i vazhdueshëm dhe progresi që Kosova ka bërë për reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar”, thuhet në kumtesë.

“Kryeministri Kurti e vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian për reforma dhe përsëriti kërkesën që shtetet anëtare brenda Këshillit të BE-së të marrin vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së  Kosovës”.

Leave a Reply