Kuvend, debat Patozi-Tahiri për kultivimin e hashashit

Deputeti demokrat, Astrit Patozi i kërkoi në sallën e Kuvendit, ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dorëheqjen.

Sipas Patozit, ai është ministri më i akuzuar që prej 1912-s, por shtoi se lidhja e bandave kriminale me pushtetin bëhet nga kryeministri i vendit.

“Edhe mund të ketë ndonjëri prej nesh kurajon t’u thotë atyre që po ikin më shumë se sirianët atdheun e vet. Ata ikin nga Shqipëria sepse Shqipëria është kthyer në një magazinë gjigante droge dhe se harta e hashashit nuk po kursen as lagjet e qyteteve kryesore të vendit, se për zonat rurale as që bëhet fjalë. Nuk jam aq naiv sa të besoj që e gjithë kjo dalldi kombëtare në kultivimin e kanabisit vjen për shkak të lobimi gjysmë të marrë dhe gjysmë tinzar të deputetit Koço Kokëdhima, por kam të gjitha të dhënat që të besoj se u është dhënë një licencë e pashkruar të gjitha bandave për të mbjellë dhe korrur drogë në territoret e tyre”, tha Patozi.

Ministri i Brendshëm reagoi duke lexuar shifra të arritjeve të policisë, në luftën kundër narkotrafikut dhe vendosjen para ligjit edhe të punonjësve të policisë që abuzojnë me detyrën, çka nuk ndodhte, sipas Tahirit, në kohën e qeverisjes së demokratëve.

“Nuk kuptoj se për cilën arsye nuk keni folur në atë kohë dhe flisni në këtë kohë. Pse? Të dhënat e Guardia di Finanza-s; sipërfaqe kultivuar me hashash në vitin 2013 ishte 323 hektarë në Shqipëri, nga të cilat policia deri në shtator, kur kjo qeveri ka marrë detyrën, kishte shkatërruar vetëm  7.5 përqind. Janë 932 tonë në 2013. Sipërfaqe e kultivuar në 2015-n, 44 hektarë ndër të cilat policia ka shkatërruar 96 përqind. Këto janë të dhënat e Guardia di Finanza që janë një nga partnerët tanë më të rëndësishëm në luftën kundër drogës”, u përgjigj Tahiri.

Patozi replikoi nga vendi, ku akuzoi jo vetëm ministrin e Brendshëm për lidhje me krimin, por edhe vetë kryeministrin Rama.

“Qe je ministri më i akuzuar që nga 1912 për lidhje të frikshme me krimin e organizuar, që nga media, politika, njerëz të thjeshtë dhe deri tek punonjës të policisë. Një politikan me dinjitet gjëja normale që do të bënte do të ishte dorëheqja për të paktën njërën nga akuzat. Zoti ministër, të vërtetat e mia unë i thashë dhe kam bindjen që ti nuk je e keqja më e madhe, sepse dorëheqja jote prap nuk mjafton, sepse jam shumë i sigurtë që ai që do të vijë në vendin tend do të bëjë të njëjtën punë, sepse unë kam bindjen absolute që bandat me lidhje politike në Shqipëri kanë licencë dhe problemi këtu është kryeministri dhe kjo Qeveri”, tha Patozi.

Por për ministrin e Brendshëm, akuzat e Patozit janë një investim politik në kohën e gabuar.

“Unë nuk kam parë opozitë në vendet e Bashkimit Europian dhe në rajon që të drejtojë gishtin nga qeveria, ministri, kryeministri sa herë që policia ka sukses. E kuptoj interesin politik të ditës, por nuk kuptoj se me ç’kurajo investoheni për të goditur policinë atëherë kur ajo ka më shumë sukses. E keni patur të vështirë të flisnit atëherë kur ishit kryetar i grupit parlamentar dhe ishit në qeveri, e kuptoj vështirësinë që kishit, por nuk kuptoj pse sot që keni lirinë e plotë të fjalës të thoni gjëra që pavarësisht se nuk i thonit dje, sot të paktën nuk ua detyron njeri”, deklaroi ministri i Brendshëm.

Leave a Reply