Trafiku i drogës ka qenë boshti i diskutimeve në seancën parlamentare të kësaj të enjteje, pas shtyrjes së votimit të projektligjit për turizmin.
Deputeti i PD, Arben Ristani akuzoi institucionet shtetërore se nuk kanë vullnet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Duke cituar të dhëna të institucioneve ndërkombëtare, Ristani theksoi se, Shqipëria është kthyer tashmë në një urë droge.
“Departamenti i Shtetit po ofron një mbështetje të madhe në këtë drejtim. Por ne duhet të gëzohemi pak për këtë ndihmë, sepse duhet të trishtohemi për nivelin e krimit ku e ka futur vendin në këto 2 vjet kjo qeveri. Sasia e lëndëve narkotike nga Shqipëria të kapura ngapolicia në Itali dhe Greqi ka arritur nivele historike. Shqetësim për trafikun e narkotikëve e ka ngritur edhe Antimafia italiane dhe prokurorët e Gjenevës, që e cilësuan Shqipërinë si Kolumbinë e Evropës”, deklaroi Ristani.
Më pas, ish-kryeministri Berisha, duke marrë fjalën, akuzoi qeverinë shqiptare për favorizim të trafikut të drogës. Berisha u shpreh se, pavarësisht ndërhyrjes në Lazarat, kultivimi i narkotikëve është shtuar dhe madje ka filluar të kultivohet edhe opiumi.
Berisha bëri përgjegjëse qeverinë edhe për laboratorin e drogës të zbuluar në Xibrakë të Elbasanit, ndërsa përmendi disa shifra të regjistruara gjatë qeverisjes së tij e që tregojnë sipas tij suksesin e arritur nga ekzekutivi i mëparshëm në luftën kundër drogës.
Duke iu përgjigjur akuzave, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaroi se, qytetarët janë në gjendje të bëjnë dallimin mes qeverisë së kaluar dhe asaj aktuale.
“Shqipëria doli nga harta e vendeve të tranzitit të narkotikëve falë luftës së qeverisë kundër drogës”, tha mes të tjerash Tahiri.
Ai theksoi se në këto dy vjet qeverisje të majtë në vend është regjistruar një rënie historike e numrit të vrasjeve.
Ndër angazhimet e tjera të qeverisë, Tahiri, i cili u kërkoi deputetëve të opozitës që të bashkohen në luftimin e dukurive negative, përmendi edhe luftën ndaj terrorizmit në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.