Kuvendi i Kosovës miraton Rezolutë në mbështetje të Ukrainës

Rezoluta u miratua me 94 për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Në kohën kur po votohej për Rezolutën deputetët e Listës Serbe nuk kanë qenë të pranishëm në sallë.

Përmes kësaj Rezolute, Kuvendi i Kosovës ndër të tjera e dënon në mënyrë të ashpër agresionin rus në Ukrainë, renditet krah aleatëve perëndimore në mbështetje të popullit të Ukrainës si dhe mbështet vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë.

Shefja e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari –Lila tha në Kuvend se bilanci i luftës tregon mbi 2 mijë civilë të vrarë në Ukrainë dhe mbi 1 milion të larguar.

Ajo tha se Rusia si Serbia dikur po përdor çdo mjet të propagandës.

Ndërkaq, Memli Krasniqi, deputet i PDK-së theksoi se populli i Kosovës ende e ka të freskët agresionin e Serbisë prandaj e kuptojnë shumë mirë popullin e Ukrainës në këtë periudhë.

Ai tha se hapi i duhur është që edhe Kuvendi i Kosovës ta dënoj agresionin rus përmes Rezolutës.

Lumir Abdixhiku, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës theksoi se në Ukrainë po mbrohen themelet e shtetit dhe vlerat njerëzore, lirisë, demokracisë.

“Me këto vlera është e lidhur edhe Kosova…”, tha Abdixhiku.

Ndërkaq, shefi i Grupit parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri tha se po bëhen më shumë se një javë janë dëshmitar të një sulmi barbar të Rusisë në Ukrainë.

Tahiri theksoi se ukrainasit po përballem me luftë për mbijetesë nga një shtet, siç është Rusia.

“Kosova është demokraci dhe natyrshëm, jemi ku janë demokracitë tjera”, tha ai, duke shtuar se qytetarët e Kosovës i dinë mirë pasojat e luftës.

Igor Simiq nga Lista serbe tha se Rezoluta nuk u është dorëzuar.

“Serbia dhe populli serb dje i është bashkuar rezolutës së OKB-së. Nuk duhet të nxisim tensione në rajon. Jemi kundër luftërave konflikteve dhe bëjmë ftesë për paqe”, tha ai.

Para votimit të Rezolutës, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje për viktimat në Ukrainë.

Leave a Reply