Dy deputetë të Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda nga Vetëvendosje që është në opozitë dhe Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike që udhëheq qeverinë, kanë dalë me një propozim për marrëveshje për liderët partiakë për daljen nga kriza politike.
Deda dhe Osmani, të cilët nuk pajtohen me qëndrimet e partive prej nga vijnë, kanë prezantuar në një konferencë për shtyp draftin e një marrëveshjeje politike të cilën thanë se ua kanë dërguar edhe liderëve të partive politike, ndërsa presin që ajo të mbështetet edhe nga deputetët e tjerë.
“Ne, si dy deputetë nga Kuvendi i Kosovës, një nga opozita dhe një nga pozita, mendojmë se situata aktuale politike dhe ajo e sigurisë në vend është e papranueshme. Ajo nuk mund të zgjasë sepse Kosova mund të rrezikojë shumë nëse vazhdon përplasja politike mes qeverisë dhe opozitës. Ne mendojmë se në kërkesat që kemi dëgjuar në muajt e fundit ka pika të përbashkëta të mjaftueshme që të arrihet një marrëveshje politike mes 5 partive politike shqiptare”, deklaroi Deda.
Deda tha se draftin e marrëveshjes tanimë e ka mbështetur një nga liderët opozitarë, por nuk tregoi emrin e tij, ndërsa u bëri thirrje edhe liderëve të tjerë që ta shqyrtojnë e ta mbështesin. Ndërsa deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani prezantoi pikat e marrëveshjes përmes të cilës synohet dalja nga kriza.
“Kuvendi i Kosovës do të themelojë një komision hetimor të udhëhequr nga opozita për të shqyrtuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Përbërja e komisionit do të jetë sipas dispozitave të Rregullores së Punës së Kuvendit. Komisioni do të ftojë së paku 5 përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë, të cilët do të kenë të drejtën e diskutimit dhe të propozimeve në komision, por nuk do të kenë të drejtë vote. Mandati i komisionit është 30 ditë dhe konkluzionet e tij do të merren me konsensus mes partive nënshkruese të marrëveshjes dhe do të aprovohen në Kuvend. Kjo marrëveshje do të nënshkruhet nën mbikëqyrjen e presidentes, në ushtrim të rolit të saj si faktor i unitetit politik në vend”, tha Osmani.
Projektmarrëveshja e propozuar nga Deda dhe Osmani parasheh po ashtu që Kuvendi të zgjedhë dy gjyqtarët e radhës në Gjykatën Kushtetuese, me qëllim që vendimi i saj për marrëveshjen e Asociacionit të Komunave Serbe të merret me sa më shumë gjyqtarë.
Pa e paragjykuar vendimin e Kushtetueses, pr/marrëveshja parasheh që nëse gjykata nuk i zgjidh dilemat për Asociacionin, Kuvendi do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për sqarime shtesë.
Nëse liderët e partive në pushtet dhe ata të opozitës pajtohen me marrëveshjen e propozuar, ajo parashihet të votohet si rezolutë e Kuvendit më së largu 7 ditë nga nënshkrimi. Deri në mbrëmje, asnjë nga partitë politike nga pozita apo opozita nuk ka dhënë një qëndrim lidhur me këtë propozim të dy deputetëve.