Dy persona hodhën një bombë artizanale
Ky është momenti kur dy persona ende të paidentifikuar hedhin lëndën plasëse në derën e lokalit në pronësi të Fran Kolbuçajt.
Ngjarja është regjistruar në orën 01:38 minuta dhe dy personat që kanë marrë pjesë në të shihen duke ndezur lëndën plasëse e cila sipas policisë ka qenë amonit malor i prodhuar në mënyrë artizanale.
Ndonëse shpërthimi ka ndodhur pak pas mesnate ai është mundur të zbulohet vetëm në mëngjes, teksa pronari i lokalit ka konstatuar dëmtimet e xhamave.
Menjëherë ai ka lajmëruar policinë, e cila pasi mbërriti në vendin e ngjarjes ka evidentuar se bëhet fjalë për një shpërthim të kryer me lëndë plasëse.
Fatmirësisht nga shpërthimi, kjo edhe për shkak se ai ka ndodhur gjatë orëve të natës nuk ka të lënduar, por vetëm dëme të vogla materiale.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën me qëllim zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarje, si dhe për identifikimin e kapjen e autorëve.
Për këtë qëllim po kqyrin edhe pamjet e kamerave të sigurisë si dhe kanë marrë dëshminë e pronarit të lokalit, i cili mësohet të ketë deklaruar se nuk ka konfikte me askënd.