Letër nga Tirana / AKULTURIMI DHE ZHVENDOSJA E PROBLEMIT

(Rreth idesë për një agjenci gjithëkombëtare që do të kujdeset për aktivitetet dhe jetën e gjithmbarshme kulturore të shqiptarëve të viseve jashtë trevave etnike! Kjo ide u shtjellua në editorialin e “Hejzës”, me titull “PËR NJË AGJENCI KULTURORE MBARËKOMBËTARE”)

Nga Andi AZIZAJ

Nuk është as turp e as nënçmim që idetë e mira të kapen dhe të jetësohen nga qeveritë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Ideja për një agjenci që do ta ndihmonte, si në aspektin moral ashtu edhe në atë financiar, jetën kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi, të Luginës së Preshevës dhe gjetiu, jo që duhet të analizohet mirë dhe institucionalisht, por pse jo, që në mbledhjen e ardhshme (tashmë të paralajmëruar) që do të mbahet në mes të dy qeverive shqiptare në Durrës, të ngrihet në një prioritet që do zbatim pa kurrfarë hamendësimi.
Megjithatë, sa do të ishte e ndershme nga ana e këtyre shqiptarëve që të kërkojnë një gjë të tillë nga dy qeveritë shqiptare kur, tashmë, në të tjera kohë dhe rrethana, i kanë edhe qeveritë “e veta”! Përjashto Luginën e Preshevës, pse duhet të ndihmohen kaq urgjentisht shqiptarët e shteteve të tjera që kufizohen më Shqipëri dhe Kosovë? Në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Mal të Zi, shqiptarët përfaqësohen nga partitë e tyre politike, të cilat madje janë edhe “participientë” në qeveritë respektive! Shqiptarët e këtyre dy vendeve me dekada dëshmojnë se janë shumë të kënaqur e të lumtur nga drejtimi politik prej partive gjegjëse! Sa dhe çka kanë bërë këto parti që tatimi i elektoratit të tyre prej qindra miliona dollarë, të kthehet pjesërisht edhe në zhvillimin dhe avancimin e jetës kulturore? Në rrethanat e reja politike, kush do të duhej të brengoset për jetë të varfër kulturore institucionale? Shqipëria dhe Kosova? Pse të kujdesen këto dy shtete kur shqiptarët janë të kënaqur dhe shumë të lumtur me përfaqësimin prej partive të cilat i votojnë dhe i përkrahin në çdo palë zgjedhje!
Shqipëria dhe Kosova bëjnë mirë nëse hartojnë korniza ligjore të posaçme për përkrahje kulturore të këtyre shqiptarëve, ligje në kushte kur përfaqësimi politik është sipërfaqësor, i stisur dhe pa kurrfarë peshe kombëtar! Shqiptarët e Maqedonisë dhe të Malit të Zi, por edhe të tjerët, do të duhej fillimisht t’i identifikojnë dhe t’i kenë të qarta objektivat për një zhvillim dhe avancim kulturor. Këto t’i kërkojnë prej qeverisë ku përfaqësohen dhe ku i derdhin taksat e tyre! Nëse partitë politike të tyre nuk janë të denja për ta mbrojtur taksën në të mirë edhe të kulturës kombëtare, atëherë e kotë dhe jo-korrekte është ankimi kundër qeverive shqiptare, apo “pritshmërisë humanitare” prej tyre. Qeveritë shqiptare mund ta bëjnë vetëm një gjë: t’ua kërkojnë partive shqiptare që të jenë më të vëmendshëm ndaj kërkesave kulturore shqiptare, në të kundërtën, mund të margjinalizohen, të izolohen dhe të vihen në rrethin pikado të kritikave kombëtare! Por, megjithatë, përderisa shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, të Luginës së Preshevës janë të kënaqur me subjektet e tyre politik, të cilët kanë obligim kombëtar që të përkujdesen edhe për kulturën shqiptare, nuk kanë të drejtë që të kritikojnë e të presin “ndihma spektakolare” as nga Qeveria e Shqipërisë dhe as nga ajo e Kosovës! Logjika tjetër është jo e drejtë dhe tendencioze!(Hejza)

Leave a Reply