Jo një herë është konstatuar se Shaqir Fetai e ka të lindur afinitetin për të gënjyer, edhe pse gënjeshtrat nuk po i zënë vend. Së fundmi i doli sheshit gënjeshtra më e rëndë! Si një nuse petullaqe gënjeu se u “akreditua Medreseja”, ndërsa këto ditë Ministresha e arsimit, Vesna Janevska, sikur e luti që mos t’i gënjejë më medresantët, sepse është mëkat
Nga Mahir Rexhepi
Dy-tri javë para zgjedhjeve të fundit parlamentare si dhe ato presidenciale, Shaqir Fetai u hodh në topogan-in më të rrezikëhëm në karrierën e tij: duke ndjerë nevojë të madhe për ta gënjyer vetëveten, tha, hajt se po e gënjej edhe opinionin! Tha – u akreditua Medreseja “Isa Beu”! Këtë vendim e kishte pas sjellë Kryeministri teknik shqiptar, Talat Xhaferi, i cili me kryeneqësinë e egër po i jepte zor që ta bindë opinionin se, brenda atyre tre muajve qeverisje teknike ka tagër për të sjellë vendime! U tha se ky akt u soll nga Qeveria e RMV-së! E kush ishte qeveri? Vetëm Talat Xhaferi me 4-5 ministrat e vet shqiptar? Po ata dhjetë-pesëmbëdhjetë ministra maqedonasë, a edhe ata e miratuan vendimin për akreditim të Medresesë? Natyrisht që ky vendim ishte vendim privat i Talat Xhaferit, ishte i kontrabanduar kuluareve të qeverisë, dhe ishte gjest i vullnetit dypalësh në prag të zgjedhjeve pas marrëveshjes së ndërsjellë se do ta ndihmojnë njëri-tjetrin: BDI-ja Shaqir Fetain (për t’ia rindrequr imazhin totalisht të shkarravitur) dhe Shaqir Fetai BDI-në duke i shndërruar organet e veta (myftinitë) në shtabe të Partisë dhe duke derdhur mjete financiare për blerje të votave për BDI-në! Kjo u dëshmua, u bë publike dhe pati edhe sanksionime ligjore të strukturave të BFI-së, ndërsa, Ligji i kapi, po i kap dhe do t’i kap të gjitha “ligjet”, aktet dhe veprimet e kontrabanduara, si kjo për “akreditim të Medresesë”!
Shaqir Fetai e pranoi këtë kontrabandim të një “ligji” nult, u pajtua që me pompoziitet ta gënjejë edhe opinionin e gjërë, sepse, ishte i bindur në fitoren e BDI-së, në vazhdimin e përfshirjes së BDI-së në qeveri si dhe në “kontrabandimin” kontinuitiv edhe për një katër vite me radhë të “vendimit” me të cilin medresantët do të regjistroheshin nëpër fakultete, si në kohën e H. Sulejman ef. Rexhepit! Shaqir Fetai, gjithashtu, ishte më se i bindur se ky vendim ishte si copë akulli i nxjerrë në diell dhe se një ditë, sërisht, do të problematizohej çështja e akreditimit, porse atëherë Shaqir Fetai do të ishte në pension me kapitalin më të shtrenjtë në karrierën e vet: me “Medresenë e akredituar”!
Jo se nuk pati zëra që nuk e kritikuan këtë mashtrim të përmasave shekullore të Shaqir Fetait, porse ja që ky paguante njerëz për të reaguar e për të thënë se “këtyre zërave po u penguakan sukseset e Shaqir Fetait”! Shaqir Fetai nuk është i destinuar për suksese, sepse qëllimi i tij, përfshirja e tij në projekte të huaja, është për të shkatërruar, për të degraduar e për të prishur gjithçka që me aq mundim ishte krijuar në BFI!
Dhe ja ku jemi, Shaqir Fetai paskësh pranuar që ta mbyllë Medresenë tradicionale, atë shkollë profesionale e destinuar për të nxjerrë hoxhallarë për nevoja të BFI-së. Shaqir Fetai paskësh pranuar zgjedhjen e “Skopskos”: të mbyllet Medreseja tradicionale dhe të regjistrohet një shkollë e mesme private me lëndët e parapara nga Byroja për zhvillim arsimor plus disa lëndë fetare! Pra, me paratë e popullit, BFI-ja të angazhohej të prodhojë kuadro për shtet, jo hoxhallarë për BFI!!!
Dhe, Ministria për arsim, duke u thirrur në ligjet ekzistuese, duke u thirrur në Kushtetutë si dhe në karakterin laik të Shtetit, nuk pranon që Institucionet fetare të hapin shkolla të mesme private, sepse nuk i duhen askujt, as shtetit dhe as komunitetit!
Tani, pas tërë këtij skandali, Shaqir Fetai në vend se të dalë dhe publikisht të kërkojë falje për mashtrimin që iu imponua nga strukturat e caktuara të BDI-së, në vend se t’ju kërkojë falje medresantëve duke i informuar drejt se paskan qenë të manipuluar dhe se kush të dëshirojë mund të çregjistrohet nga Medreseja dhe të regjistrohet nëpër shkollat e mesme me qëllim që t’ia dalin që pas katër viteve të regjistrohen e të vijojnë nëpër fakultete ku të dëshirojnë dhe, si rrjedhojë e këtij zhgënjimi, të japë dorëheqje të parevokueshme, ai na informon se të hënën paska thirrur mbledhje me organin e vet privat, të ashtuquajturin “rijaset”!
Çka pritet nga kjo mbledhje formale, për mos t’i thënë mbledhje absolutisht e kotë?!
A do t’ju tregojë se u gënjyen nga struktura të caktuara të BDI-së, apo do t’i informojë për qëndrimin zyrtar të Ministrisë për arsim?
A do t’i mbledhë për t’ju ofruar dorëheqje dhe për t’ju kërkuar dorëheqje kolektive si akt moral për gënjeshtrën që ua servirën myslimanëve të vendit?
A do të sjellin vendim për ndërprerje të tërësishme të raporteve me të gjitha instancat dhe strukturat shtetërore derisa nuk do të legjitimohet ky “vendim i kontrabanduar”, apo, do të dilet me një reagim-pakënaqësi në emër të Rijasetit (sepse në emër të vet as që guxon të dalë Shaqir Fetai, sepse, do të fluturojnë nëpër portale fletë nga dosja e tij voluminoze si udbash)!
Apo, do të dalë me qëndrim të Rijasetit (pra, jo të “reisit”) kundër ministrave të VLEN-it të cilët nuk po e fshehin lojën e ndyrë të Shaqir Fetait dhe nuk po e legjitimojnë vendimin e kontrabanduar të kryeministrit teknik shqiptar nga radhët e BDI-së!
Sa ka fytyrë Shaqir Fetai, në emër të “rijasetit” të vet do t’i drejtohet me ”shqetësim” edhe organizmave ndërkombëtar në vend, të cilët, tashmë e kanë shumë të qartë se, një njeri i kontrabanduar si Shaqir Fetai në krye të BFI-së, gjithnjë do të parapëlqejë gjëra të kontrabanduara, me të cilën gjë në asnjë mënyrë nuk do të pajtoheshin ndërkombëtarët, as me të kontrabanduarin dhe as me kontrabandimin, sepse është akt i kundërligjshëm, kundërkushtetues. Nëse Shaqir Fetai e ndjenë nevojë shpirtërore për të vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Institucionit, të tjerët veprimin kushtetutar e llogarisin si vlerë më të lartë si demokratike ashtu edhe fetare. Me antifetarin nuk mund të jetë askush!