Liria në botë, Freedom House: Shqipëria në vendnumëro

“Të respektuara liria e tubimit dhe ajo fetare, Kosova përmirësim me 4 pikë”

Shqipëria nuk ka bërë asnjë ndryshim sa i përket lirisë. Në këtë vlerësim ka mbërritur “Freedom House” për vendin tonë, publikuar në raportin më të fundit. Sipas këtij raporti, Shqipëria nuk ka bërë asnjë përparim krahasuar me vitet e kaluara duke e renditur atë në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira, por shihen pozitive liria fetare dhe ajo e tubimeve.

Amy Slipowitz, pjesë e kësaj  organizate, në një bisedë për Zërin e Amerikës shpjegon arsyen se pse vendi ynë renditet në këtë pozicion.

“Nga ana pozitive, liria fetare dhe liria e tubimit janë përgjithësisht fusha të respektuara. Ka fusha që mund të përmirësohen. Partitë politike janë shumë të polarizuara dhe korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten ende probleme serioze.”

Kosova ka shënuar një përmirësim prej katër pikësh në renditjen e “Freedom House” që shkon deri në 100 pikë. Slipowitz thotë  se Kosova  është një nga  vendet me përmirësimin më të madh në mbarë botën për vitin 2022.

Ndër arsyet e përmirësimit ishin të drejtat politike. Rrjetet klienteliste kanë më pak ndikim në qeverinë aktuale, dhe gjithashtu ka pasur një rritje të përfaqësimit të grupeve të ndryshme si gratë e përkatësisë kombëtare serbe dhe pjesëtarëve të komunitetit LGBT plus, në institucionet qeveritare, por edhe në jetën politike në përgjithësi. Pastaj sa u përket të drejtave qytetare, liria akademike ka fituar terren në Kosovë. Ka më pak ndikim politik në emërimet e drejtuesve të universitetit.

Përvec Kosovës, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, renditen  në mesin e vendeve pjesërisht të lira.

Ndërkohë, liria në botë shënoi rënie për të 17-in vit me radhë. Agresioni rus çoi në shkelje të të drejtave të njeriut në Ukrainë.  Grushtet e shtetit dhe përpjekje të tjera për të, dëmtuan qeveritë përfaqësuese dhe destabilizuan Burkina Fason, Tunizinë, Perunë dhe Brazilin.

Leave a Reply