Rusia duket e vendosur për të mbajtur në burg liderin e opozitës, Aleksei Navalny dhe këtë e tregoi edhe ambasada ruse në Shqipëri në përgjigjen e saj për selinë diplomatike të SHBA-së në vendin tonë. Teksa ambasada amerikane kërkoi një ditë më parë që të lirohet nga burgu Navalny, ambasada e Rusisë sqaroi se ai nuk mund të quhet lider opozite.
“Blogeri Aleksej Navalni nuk është aspak lider i opozitës, nuk përfaqëson asnjë parti politike dhe nuk shërben si “pasqyrë” që reflekton aspiratat e popullit shumëkombësh të Rusisë. Dëshira e pangopur e A.Navalnit për të shëtitur gjyqeve, përfshirë Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, quhet hapur prej tij formë përfitimi, rrogë. Dhёnja e vendimeve politike nga Gjykata në favor të tij është bërë si me konvejer.”
Nga vendet e Perëndimit dhe Shtetet e Bashkuara, Rusia kërkon që t’i jepet fund presionit për lirimin e Aleksei Navalnyt.
“Vendet e Perëndimit, përfshirë SHBA-të, vazhdojnë t’i japin A.Navalnit një mbështetje të pamatur para sё gjithash për të lëkundur dhe ndërlikuar situatën e brendshme politike në Rusi. Në vrullin e fushatës së nisur prej tyre, gënjeshtra të hapura po përdoren kundër autoriteteve ruse, përfshirë provokimin e organizuar nga shërbimet speciale perëndimore lidhur me helmimin e supozuar të Navalnit me lëndën e ashtuquajtur “Noviçok”. E gjithë kjo është për të ardhur keq dhe duket e pashpresë, dëshmon për paaftësinë e tyre për të hequr dorë nga harbutëria arrogante dhe mosdëshira për të pranuar realitetin, duke e ditur që më parë se është e kotë të ushtrosh presion mbi Rusinë, pasi përgjigja e saj, si gjithmonë, do të jetë e rreptё, por adekuate.’- shkruan ambasada ruse.”
Navalny u arrestua më 17 janar pas kthimit të tij në Rusi nga Gjermania, ku u trajtua pas sulmit me agjent nervor kimik Noviçok. Ai ka akuzuar kundërshtarin e tij politik, Vladimir Putin, se pas sulmit të tij fshihet ai.