Lituania akuzon Bjellorusinë për migrantët e paligjshëm

Autoritetet lituaneze do të ndërtojnë pengesa në kufi dhe do të vendosin trupa për t’i parandaluar

Lituania ka ngritur akuza ndaj Bjellorusisë e cila po përpiqet që të dërgojë atje migrantë të paligjshëm. Autoritetet lituaneze kanë bërë të ditur se do të ndërtojnë një pengesë në kufi dhe do të vendosin trupa për t’i parandaluar ata që të kalonin ilegalisht në territorin e saj.

Bjellorusia vendosi të lejojë migrantët të kalojnë në Lituaninë anëtare të BE si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të vendosura nga blloku pas ngjarjes në Minsk, ku u ndalua në mënyrë të paligjshme avioni i “Ryanair” për të arrestuar gazetarin bjellorus dhe të dashurën e tij.

Qindra emigrantë kanë kaluar ditët e fundit, shumë prej tyre me origjinë nga Turqia. Ministria e Jashtme thirri kreun e ambasadës së Bjellorusisë për të kërkuar që Minsku t’i japë fund dërgimit të migrantëve të paligjshëm.

Kryeministrja lituaneze Ingrida Simonyte tha se Bjellorusia u kishte ofruar migrantëve fluturime në Minsk. Presidenti Bjellorus Aleksandër Lukashenko dy muaj më parë u shpreh se vendi i tij nuk do të ndalojë më migrantët që të kalojnë kufirin e saj perëndimor në BE.

Lituania po organizon vizita të ministrit të Jashtëm Gabrielius Landsbergis në Bagdad dhe Ankara javën e ardhshme për të diskutuar për emigracionin. Rreth 779 migrantë të paligjshëm kaluan kufirin Bjellorusi-Lituani në shtatë ditët e para të Korrikut, krahasuar me 636 gjatë gjashtë muajve të parë të vitit.

Ekspertët për migracionin janë shprehur se nëse njerëzit vazhdojnë të vijnë në një numër të tillë, në qindra në ditë, situata do të bëhet serioze dhe kjo gjë do të jetë sfiduese për autoritetet që duhet t’i sigurojnë atyre strehim, nevoja humanitare dhe shërbime të tjera.

Leave a Reply