Lufta në Ukrainë: parashikimet e Fukuyama-s në 12 pika

Francis Fukuyama, një filozof, mendimtar politik dhe ekonomist i njohur amerikan, autor i bestsellerit të famshëm “Fundi i historisë”, botuar në vitin 1992, shpjegoi në 12 pika pse ai beson se Vladimir Putin përfundimisht do të dështojë.

Më 10 mars 2022, revista American Purpose botoi artikullin e Fukuyama-s “Përgatitja për humbjen”, në të cilin ai flet se si mund të përfundojë lufta në Ukrainë.

Këtu janë disa parashikime:

1. Rusia po shkon drejt një disfate të plotë në Ukrainë. Planifikimi rus ishte i paaftë, bazuar në supozimin e gabuar se ukrainasit ishin në favor të Rusisë dhe se ushtria e tyre do të dështonte menjëherë pas pushtimit. Ushtarët rusë me sa duket mbanin uniforma për paradën e tyre të fitores në Kiev në vend të municioneve dhe vakteve shtesë. Në këtë pikë, Putini ka investuar pjesën më të madhe të ushtrisë së tij në këtë operacion, ndaj dhe nuk ka rezerva të mëdha forcash që ai mund të thërrasë për t’i shtuar betejës. Trupat ruse janë bllokuar jashtë qyteteve të ndryshme të Ukrainës ku përballen me probleme të mëdha furnizimi dhe sulme të vazhdueshme ukrainase.

2. Rënia e pozicionit të tyre mund të ishte e papritur dhe katastrofike, në vend që të ndodhte ngadalë, përmes një lufte rrënimi. Ushtria në terren do të arrijë në një pikë ku nuk do të jetë në gjendje të furnizohet apo të tërhiqet, dhe morali do të avullojë. Kjo është të paktën e vërtetë në veri; Rusët janë më mirë në jug, por ato pozicione do të ishin të vështira për t’u mbajtur në veri.

3. Një zgjidhje diplomatike e luftës nuk është e mundur para se kjo të ndodhë. Nuk ka asnjë kompromis të imagjinueshëm që do të ishte i pranueshëm si për Rusinë ashtu edhe për Ukrainën, duke pasur parasysh humbjet që kanë pësuar për momentin.

4. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është dëshmuar edhe një herë i padobishëm. E vetmja gjë e dobishme ishte votimi në Asamblenë e Përgjithshme, i cili ndihmon në identifikimin e aktorëve të këqij apo të paparashikuar në botë.

5. Vendimet e administratës Biden për të mos shpallur një zonë ndalim-fluturimi ose për të mos ndihmuar në transferimin e MiG-ve polakë ishin të mira; një vetërpërmbajtje në kohë shumë emocionuese. Është shumë më mirë që ukrainasit t’i mposhtin rusët vetë, duke e privuar Moskën nga justifikimi se NATO i sulmoi ata, si dhe duke shmangur të gjitha mundësitë e dukshme të përshkallëzimit. MiG-të polakë në veçanti nuk do t’i shtonin shumë aftësive të Ukrainës. Shumë më i rëndësishëm është furnizimi i vazhdueshëm me Javelins, Stingers, TBs 2 (Bayraktar), furnizime mjekësore, pajisje komunikimi dhe shkëmbim informacioni. Unë supozoj se forcat ukrainase tashmë po ndihmohen nga agjentët e inteligjencës së NATO-s që veprojnë jashtë Ukrainës.

6. Çmimi që paguan Ukraina është, natyrisht, i madh. Por dëmi më i madh është shkaktuar nga raketat dhe artileria, në të cilat as MiG dhe as zona e ndalim-fluturimit nuk mund të bëjnë shumë. E vetmja gjë që do të ndalojë masakrën është disfata e ushtrisë ruse në terren.

7. Putini nuk do t’i mbijetojë humbjes së ushtrisë së tij. Ai merr mbështetje sepse perceptohet si një njeri i fuqishëm, por çfarë ka për të ofruar pasi t’i bëhet e qartë paaftësia dhe kur t’i hiqet fuqia e detyrimit?

8. Pushtimi tashmë ka shkaktuar dëme të mëdha për populistët në mbarë botën, të cilët shprehën në mënyrë të barabartë simpatinë për Putinin përpara sulmit. Këtu përfshihen Matteo Salvini, Jair Bolsonaro, Eric Zemmour, Marine Le Pen, Victor Orbán dhe sigurisht, Donald Trump. Politika e luftës ekspozoi prirjet e tyre të hapura autoritare.

9. Lufta deri tani ka qenë një mësim i mirë për Kinën. Ashtu si Rusia, Kina ka ndërtuar një forcë ushtarake në dukje të teknologjisë së lartë në dekadën e fundit, por nuk ka përvojë luftarake. Performanca e dobët e Forcave Ajrore Ruse ndoshta do të përsëritej nga Forca Ajrore e Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës, e cila gjithashtu nuk ka përvojë në menaxhimin e operacioneve komplekse ajrore. Mund të shpresojmë se udhëheqja kineze nuk do të vetëgënjehet për sa i përket aftësive të veta, siç bënë rusët kur Pekini po shqyrton një lëvizje të ardhshme kundër Tajvanit.

10. Le të shpresojmë që vetë Tajvani do të zgjohet me nevojën për t’u përgatitur për luftën, siç bënë ukrainasit, dhe për të rifilluar shërbimin ushtarak.

11. Dronët turq do të jenë “The best”-ët e luftës.

12. Humbja e Rusisë do të mundësojë një “lindje të re të lirisë” dhe do të na nxjerrë nga zhurma jonë për gjendjen e demokracisë globale në rënie. Fryma e 1989-ës do të jetojë falë një grupi ukrainasish të guximshëm. /tesheshi.com/

 

Leave a Reply