Përpara takimit me Joe Biden kreu i Elizesë u shpreh se kjo dëmton kompanitë teksa Europa përballet me agresion rus
Presidenti francez Emmanuel Macron nisi vizitën e tij në Uashington, ku i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij Brigitte u takua me presidentin Joe Biden. Kjo është vizita e tij e dytë në SHBA që nga marrja e detyrës në vitin 2017.
Macron iu drejtua ligjvënësve amerikanë nga të dyja partitë politike ku kundërshtoi subvencionet e reja amerikane që po shqetësojnë liderët evropianë.
Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura sipas asaj që raporton Reuters. Ndërsa në një fjalim në ambasadën franceze në Uashington kreu i Elizësë paralajmëroi se subvencionet mund të ndajnë Perëndimin.
“Unë nuk dua të bëhem një treg për të shitur produkte amerikane, sepse kam saktësisht të njëjtat produkte si ju,” citoi agjencia franceze AFP, duke iu referuar klasës së mesme të Francës dhe nevojave të tyre për punësim. Në një takim me ligjvënësit amerikanë në Bibliotekën e Kongresit, Macron tha se Akti i Reduktimit të Inflacionit ishte “super agresiv” ndaj kompanive evropiane.
Udhëheqësit kanë ngritur akuza për paketën legjislative, të nënshkruar nga Biden në gusht, që ofron subvencione masive për produktet e prodhuara në SHBA, për të cilat ata thonë se në mënyrë të padrejtë dëmton kompanitë jo-amerikane dhe do të ishte një goditje serioze për ekonomitë e tyre ndërsa Evropa përballet me pasojat nga pushtimi rus . Macron gjithashtu vizitoi selinë e NASA-s me nënpresidenten Kamala Harris dhe tha se bashkëpunimi SHBA-Francë ishte i rëndësishëm për të kundërshtuar rrezikun e konfliktit në hapësirë.
“Hapësira është vendi i ri për konflikte dhe ne kemi lojtarë të çmendur në hapësirë, gjithashtu. Ne kemi shtete mashtrues atje dhe kemi sulme të reja dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që së bashku ne e ndajmë këtë histori. Kemi të njëjtat angazhime dhe lidhje me shkencën dhe përparimin, por ndajmë gjithashtu të njëjtat vlera demokratike”, është shprehurMacron.
Macron është lideri i parë i huaj që i do të konsumojë një darkë shtetërore në Shtëpinë e Bardhë. Vizita e Macron erdhi pasi ministrat e NATO-s u takuan në Bukuresht dhe premtuan më shumë ndihmë për Ukrainën për të ndihmuar kundër sulmeve të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike. Ndërkaq presidenti i Francës Emmanuel Macron dha medaljet “Legjioni i Nderit” për veteranët e Luftës së Dytë Botërore. Ceremonia e cila u zhvillua në Ambasadën Franceze në Uashington është pjesë e vizitës së Macron në SHBA që synon të nxjerrë në pah miqësinë franko-amerikane.