Manipulatori i deshifruar

Nnga Kajro e Egjiptit Shaqir Fetai na lajmëron për “reisin” i cili na paska konstatuar se Konferenca ndërkombëtare e Kajros paska përfunduar me sukses dhe, kjo i paska dhënë shtytje që të takohet me studentët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut që studiojnë në Kajro

Nga Mahir Rexhepi

Manipulatorët janë persona që ia dalin të mashtrojnë në situata të caktuara, që ta mashtrojnë opinionin dhe, të mos hetohen për asnjë moment se janë duke manipuluar. Pra, janë persona me “aftësi të mbinatyrshme” për të krijuar situata iluzioniste dhe, sapunin ta shesin për djathë! Por, ja që ka nga ata “trukaxhinjë” që, sapo ta hapin gojën zbulohen se po gënjejnë, apo, zbulohen se po bëjnë përpjekje për manipulim. Menjëherë goditen me purtekë veshëve dhe heshtin si qeni zgjebarak!
Një manipulator përherë i deshifruar është dhe mbetet Shaqir Fetai! Që kur ka shprehur dëshirë që të bëjë karrierë, këtu e 20-30 vite më parë, ai çdo lëvizje milimetrike që e ka bërë e ka manipulim! Ai frymon mbi manipulimin, ai është ngritur i ndërkryer me manipulim, ai jeton për manipulim, sepse e di që ndryshe vetëmsa do të vendnumrojë! Ai është i bindur naivisht se kurrë nuk do të përfundojë i katandisur në theqafje!
Shaqir Fetai ka marrur pjesë në një Konferencë ndërkombëtare në Kajro dhe, me të mbaruar kjo Konferencë ai vetë konstaton se Konferenca paska përfunduar me shumë sukses, ndërkohë që nuk e njeh as gjuhën arabe, as gjuhën angleze, as gjuhën turke dhe, rrjedhimisht, as që ka kuptuar se çfarë është folur e diskutuar në Konferencë për të ardhur deri te konstatimi “i suksesshëm”! Ky ishte manipulimi i parë, i cili, përmes fjalës “i suksesshëm” mëton t’ia atribuojë të gjitha të arriturat e Konferencës pjesëmarrjes së Shaqir Fetaiit! Meqë na mori pjesë ky lanet, ja që vetëvetiu Konferenca na ka dalur “e suksesshme”!
Manipulimi i dytë është darka e tij me studentët shqiptarë nga vendi të cilët studiojnë në Kajro!
Kjo darkë hap dy çështje: Pse mori pjesë Shaqir Fetai në Kajro, kush e delegoi atë, kush ia dha vizën për të marrë pjesë në Konferencë dhe, meqë ka marrur pjesë, çka ka ndryshuar diç në të mirë të myslimanëve të vendit; çka kanë përfituar myslimanët e vendit nga kjo shëtitje ekskursioniste e Shaqir Fetait dhe tajfës së tij me paratë e myslimanëve të vendit! Reisi nuk e hedh as hapin më të vogël pa lejen dhe miratimin e Rijasetit! Rijaseti mblidhet, informohet se ka një ftesë ndërkombëtare, jepen propozimet se kush ta shoqërojë atë (e jo turlifarë spiuni i trefishtë!) dhe, caktohet se nga cili zë i buxhetit të mbulohet ai udhëtim, gjithnjë pasi të konstatohet se ia vlenë apo jo të përfaqësohet BFI-ja nëpër takime të tilla!
Natyrisht, çështja e dytë është fakti që, nëpër mbledhje të Rijasetit, në të tilla raste, merret autorizimi për t’i takuar studentët e vendit që studiojnë në atë vend ku do të prezantojë përfaqësuesi i myslimanëve të vendit. Ky autorizim merret sepse, në mbledhje sillet edhe vendimi që, studentët të shpërblehen me ndonjë ndihmë simbolike në para, të cilat aq shumë janë të rëndësishme për studentët! Kështu ka qenë më përpara, reisi i ka takuar studentët, tek të ciilët ka kryer porosinë e Rijasetit që ata të daroviten me ndonjë para nga arka e BFI-së!
Shaqir Fetai i tubon studentët dhe para tyre del me duar në xhepa, duke i fërkuar…! Studentët kanë nevojë për ndonjë metalik dhe jo për kopalla kundërmuese të Shaqir Fetait! Ata kanë nevojë për ndonjë lek e jo për darkën e Shaqir Fetait, e cila, vetëm e tij nuk mund të jetë, sepse ai kurrë nuk pranon të qarosë me paratë e veta, porse, atë fakturë të darkës e dorëzon në arkën e BFI-së.
Natyrisht, kështu do të duhej të vepronte Shaqir Fetai nëse do ta kishte Rijasetin pas vete! Ai nuk e tubon, nuk merr leje dhe nuk sjell vendime në Rijaset, nuk raporton në Rijaset mbi efektet nga pjesëmarrja nëpër Konferenca, sepse ai nuk ka Rijaset, sepse ai nuk është i sigurtë se çka mund të pjellë tash e tutje nëpër mbledhjet e Rijasetit, prandaj ai nuk e mbledh këtë Organ më të lartë kolektiv të BFI-së! Së këndejmi, a nuk është ilegjitim Shaqir Fetai qoftë kjo edhe si pjesëmarrës në një kuvend ku ai në mënyrë manipulative mundohet të shitet për përfaqësues (të kujt?)? Shaqir Fetai, përderisa nuk autorizohet nga Rijaseti, përderisa nuk vepron sipas vendimeve të Rijasetit të miratuara nëpër mbledhje të këtij organi i cili duhet të mblidhet të paktën një herë në muaj, përderisa nuk ka leje të veprojë dhe të prezantojë myslimanët e vendit – pra, përderisa nuk e ka izën e Rijasetit, ai është ilegjitim, ai është joinstitucional, thjesht, ai është një manipulator porse shumë i lexueshëm, i deshifruar dhe hajgarexhi i shpifur, për ç’gjë ai gjithësesi që një ditë do të japë llogari, një për një!

Leave a Reply