Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni, Jess L. Baily, ka pritur këtë të premte në ambientet e ambasadës në Shkup, kreun e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi.
Në takimin mes tyre mësohet të jetë diskutuar mbi situatën aktuale politike në vendin fqinj, duke nisur që prej marrëveshjes së Përzhinës, duke vijuar me sfidat për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, e deri te reformat që Maqedonia duhet të përmbushë si parakushte për anëtarësimin e saj në strukturat euroatlantike.
Në këtë takim, kreu i PDSH-së, partisë shqiptare në opozitë, Menduh Thaçi ka shprehur besimin e tij ndaj vlerësimit që pritet të japë faktori ndërkombëtar lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në vend.
Në fund të bisedës, të dyja palët janë ndarë të kënaqur dhe me premtimin se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen. //Top Channel