Partia më e madhe maqedonase, VMRO-DPMNE ka falsifikuar tekstin e ligjit për prokurorin special, që u miratua javën e kaluar në Kuvend.
Sipas televizionit “Alsat” – që publikoi lajmin, – teksti i ligjit, për të cilin kishin rënë dakord 4 partitë kryesore dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, u ndryshua në mënyrë tinzare nga VMRO-ja vetëm disa momente para votimit.
Partia maqedonase në pushtet thuhet se ka hequr nga drafti, paragrafin me të cilin parashikohej që, gjatë votimit në Këshillin e Prokurorëve për zgjedhjen e prokurorit special, të respektohej parimi i Badenterit, si mekanizëm që mbron shqiptarët nga mbivotimi.
Menjëherë pas këtij veprimi, mësohet se ndërmjetësi ndërkombëtar në negociatat për zbatimin e marrëveshjes së 2 qershorit, Peter Vanhout ka përjashtuar nga bisedimet përfaqësuesin e VMRO-DPMNE-së, Nikola Todorov. Ky i fundit nuk ka dashur të komentojë këto informacione.
“Partia VMRO-DPMNE ka lëshuar një komunikatë, ndaj dhe nuk kam çfarë të komentoj më tepër. Gjithçka thuhet në atë njoftim”, tha Nikola Todorov, VMRO-DPMNE.
Ndërkohë, përmes një reagimi me shkrim, VMRO-DPMNE-ja ka hedhur poshtë si të pavërteta informacionet për falsifikimin e tekstit të ligjit për prokurorin special.
Megjithatë, përfaqësuesit te BDI-së – partneri shqiptar në koalicionin qeveritar me VMRO-në, – e pranojnë se ka pasur tentativa për të ndryshuar draftin. Por, sipas tyre, këto përpjekje kanë dështuar, pasi ligji i miratuar për prokurorin special nuk ka ndryshuar dhe përfshin parimin e Badenterit.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e partisë maqedonase në opozitë, LSDM, këmbëngulin se VMRO-DPMNE-ja ka arritur të ndryshojë draftin dhe kjo – siç, thonë ata, – ka ndodhur për shkak se përfaqësuesit e partisë shqiptare BDI nuk kanë qenë sa duhet të kujdesshëm, përballë manovrave të partnerit qeveritar.