Në garë janë 7 kandidatë
1 milionë e 814 mijë qytetarë me të drejtë vote janë thirrur sot për të zgjedhur presidentin e ri të Maqedonisë së Veriut.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19:00 të mbrëmjes për t’i dhënë mundësi çdo qytetari të shprehë vullnetin e tij me votë.
Në garë janë 7 kandidatë, mes të cilëve presidenti aktual Stevo Pendarovski, i cili është propozuar nga koalicioni për “Ardhmëri Evropiane”, që udhëhiqet nga LSDM dhe Gordana Davkova që përfaqëson opozitën maqedonase, që udhëhiqet nga VMRO-DPMNE-ja.
Partitë shqiptare garojnë me dy kandidatë, Bujar Osmani që mbështet nga Fronti Evropian, dhe Arben Taravarin, kryetarin aktual të komunës së Gostivarit, i cili mbështet nga koalicion VLEN.
Sipas dispozitave ligjore, në rundin e parë është thuajse e pamundur që të zgjidhet presidenti, pasi një kandidat duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të të regjistruarve në listën zgjedhore, ndërsa në rundin e dytë kalojnë dy kandidatët me më shumë vota.
Fitues zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 përqind të votave, me kusht që në zgjedhje të dalin mbi 40 përqind e qytetarëve me të drejtë vote.
Këto zgjedhje vlerësohen si shumë të rëndësishme për partitë politike, pasi rezultati që do të arrijnë do të jetë test për zgjedhjet parlamentare, që do të mbahem më 8 Maj, së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.