Përralla e Marokut në Kupën e Botës në Katar vijon. Kombëtarja afrikane bëri surprizën e radhës teksa këtë herë eliminoi një pretendent për titull si Portugalia. Pasi la jashtë Belgjikën dhe detyroi Spanjën që të kthehej në shtëpi, Maroku nxjerr jashtë garës për titull luzitanët. Skuadra e Regragui ia doli që të fitonte me shifrat e ngushta 1-0, në një duel emocionues dhe me tepër raste. Sërish, Ronaldo nuk e nisi nga minuta e parë, diçka që duket se i kushtoi portugezëve.
Luzitanët ishin të paqartë në sulm, teksa ndër rastet e pakta të krijuara, Maroku e shfrytëzoi në maksimum. Krosimi nga e majta gjeti En Nesyri të lirë në zonë, i cili përfitoi nga dalja e pasigurtë e portierit Costa. Gabim që i kushtoi shtrenjtë Portugalisë, me teknikun Santos që luajti edhe kartën Ronaldo për të tentuar përmbysjen e madhe. Megjithatë, pavarësisht kësaj, 37-vjeçari nuk arriti që të shmang humbjen e Portugalisë, që i jep kështu fund aventurës në Katar.
Maroku kualifikohet kështu për herë të parë në gjysmëfinalet e Botërorit, kjo falë edhe cilësive të portierit Bono. Gardiani i Sevilla mbajti portën e paprekur për herë të 3-të në këtë edicion të Kupës së Botës, duke neutralizuar edhe Ronaldon, që dështoi për të shënuar në duelin e 8-të në fazën me eliminim direkt të Botërorit, pavarësisht 27 goditjeve drejt portës kundërshtare.