Stoltenberg për luftën: Duhet bërë çmos që konflikti të mos dalë jashtë kufijve të Ukrainës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, bën thirrje që të shmanget konflikti mes aleancës dhe Rusisë. Në një intervistë për mediat norvegjeze, Stoltenberg thotë përshkallëzimi i luftës në Ukrainë dhe ashpërsimi i konfliktit është i mundur. Megjithatë, ai thotë se duhet bërë çmos që konflikti të mos dalë jashtë kufijve të Ukrainës dhe të përfshijë vende të tjera europiane, pasi në këtë rast, do të ishte e pashmangshme që kontinenti të përfshihej në një luftë të madhe.

E teksa sulmet ruse janë ashpërsuar sërish ditët e fundit pas një periudhe më të qetë, ministri i jashtëm ukrainas Dimitro Kuleba tha se ende nuk është momenti për ndërmjetësimin e një marrëveshjeje Kiev – Moskë. Në përgjigje të ofertës për ndërmjetësimin e paqes nga Vatikani, Kuleba tha se fillimisht duhet të ndalen raketat ruse që bien mbi territorin ukrainas. Kievi e ka kusht të prerë se ushtria ruse duhet të tërhiqet, përpara se palët të fillojnë bisedimet.

Sakaq Shtetet e Bashkuara japin alarmin se Rusia po përgatitet për një aleancë ushtarake me Iranin, ku pjesë e bashkëpunimit mund të jetë edhe prodhimi dhe sofistikimi i përbashkët i dronëve luftarakë.

Leave a Reply