Pavlo Vuksani, njëri prej 4 të plagosurve nga përplasja me armë një ditë më parë në Elbasan, ka dalë nga spitali pasi gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.
Korrenspondenti i Klan News në Elbasan, Fatos Salliu ka mësuar se pas daljes nga spitali, Vuksani është shoqëruar për në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e rëndë.
Ndërkohë, të plagosurit e tjerë Emiljan Prenga 39 vjeç, Eltjon Bodinaku 32 vjeç që është dhe dhëndri i viktimës Pjerin Xhuvani, si dhe efektivja e policisë Xhensila Sota 27 vjeç, mësohet se nuk janë në rrezik për jetën. Ata kanë marrë mjekim e duhur dhe gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar.
Me rëndësi konsiderohet dëshmia e Pavlo Vuksanit, i cili ka qenë pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votës, pjesë e Partisë Demokratike. Ai ka qenë së bashku me Emiljan Pregën, të dy ish-efektivë policie, si dhe me Arbër Paplekajn edhe ky ish-efektiv i forcave speciale RENEA kur u përplasën verbalisht e më pas me armë me grupin tjetër ku bënin pjesë Eltjon Bodinaku dhe viktima Pjerin Xhuvani.
Sipas Sekretarit të PD-së Gazment Bardhi, kjo ka qenë edhe dinamika e ngjarjes së rëndë. Ai tha se një makinë pa targa po blinte vota në lagjen “5 Maji” të Elbasanit. Struktura për Mbrojtjen e Votës në PD u nis drejt vendngjarjes pas sinjalizimit që kishte marrë dhe bllokoi këtë makinë, e më pas njoftuan policinë.
Pas mbërritjes së policisë në vendngjarje, aty shkuan edhe mbështetësit e palës tjetër. Konflikti verbal degjeneroi në përdorimin e armëve dhe nga të shtënat nga disa armë të ndryshme, u plagosën 4 persona dhe u vra Pjerin Xhuvani, dikur ish-drejtues i LSI në këtë qytet dhe së fundmi i angazhuar politikisht me një tjetër forcë politike.