Gjithë kundër marrëveshjes serbo-kosovare? Cilës? Cilave pika a paragrafë? Askush s’di të thotë gjë. S’ka marrëveshje ende as si letër. Ka vetëm plane presidentësh për ta arrirë një marrëveshje historike, e cila kundërshtohet nga jashtë e brenda. Analizë një debati që zhvillohet në erë
Xhelati me viktimën e djeshme janë bërë bashkë. Presidenti i serbëve dhe ai i kosovarëve e kanë një plan të përbashkët: duan ta lidhin një marrëveshje historike paqeje. «Qoftë edhe duke korrigjuar kufij», thonë të dy. Shumica e partive dhe liderëve brenda dy shteteve – atij serb dhe atij kosovar – janë kundër ndonjë marrëveshjeje që do lëvizte kufijtë ende të pademarkuar. Kryeministri kosovar bashkë me një pjesë të koalicionarëve në pushtet kërcënojnë me luftë. Nga «shoqëria civile» tashmë është lansuar një peticion kundër marrëveshjes eventuale, të supozuar serbo-kosovare.
Arsyetimi i këtij peticioni: s’ka ndarje në baza etnike! Është peticion që shprehka vullnetin qytetar për shpëtimin e Kosovës muti-etnike, respektivisht serbo-kosovare ashtu siç e ka vizatuar Martti Ahtisaari me kolegë. Kisha serbe poashtu reagon ashpër, duke thënë se kjo nuk qenka ndarje në baza etnike por dorëzim i Kosovës, ngase serbet nuk jetuakan vetëm ne veriun e tematizuar. Intelektualë të pavarur shqiptarë shkruajnë se një marrëveshje e llojit patjetër u dashka të parandalohet, ngase paska një motiv të vetëm: shpëtimin e presidentit aktual të Republikës së Kosovës nga Gjykata Speciale. Radikalët në Prishtinë kërkojnë që t’i ndalohet kthimi nga Vjena të të njëjtit. Kolegët e tyre në Beograd nuk kërkojnë moskthimin e primatit të tyre, përkundrazi ata shkojnë edhe më larg duke thënë se «Vuçiçit do t’i ndodhë si Xhinxhiçit». Ndërkombëtarët duken të ndarë gati njëjtë si para bombardimit të serbeve nga NATO; njëra palë thotë s’bën të luajnë kufijtë dhe të preket sovraniteti i shteteve e tjetra thotë po, bën, nëse ashtu sigurohet paqja e përhershme dhe shpëtohen njerëz nga pogrome të mundshme. «Kthim i përjetshëm i së njëjtës?» Në Ballkan e për historinë – po. Edhe asimetria e mospajtimit ka të njëjtën gjeografi: SHBA-të nga njëra anë e europianët (pa pjesëmarrësit e Alpbachut) në anën tjetër. Të parët thonë nëse dy palët gjejnë gjuhën e përbashkët ne përkrahim, të dytët thonë pikërisht kjo s’bën – që këta dy të gjejnë formulën e koekzistencës në mënyrën si duan.
Për ç’marrëveshje e kanë fjalën gjithë këta?
Marrëveshjen bardh e zi nuk e di njeri. Natyrisht përveç vetë Vuçiçit dhe Thaçit. E këta ende nuk kanë hapur kartat në detaje se ç’ziejnë me kabinetet e tyre në prani të Mogherinit dhe Hahn-it.
OPSIONI MË I POPULLARIZUAR
Në etér polemizohet për disa spekulime. Versioni më i popullarizuar është ai i shkëmbimit të tri komunave serbe në Kosovë me tri komunat shqiptare të Luginës së Preshevës. Këtë propozim e bëri edhe një institut beogradas që spekulohet ta ketë porositur Vuçiç. Dy presidentët thonë s’ka ndarje e shkëmbime por fjalinë e Thaçit «se kufijtë mund të korrigjohen dhe se Jugosllavia nuk ekziston më», shumica e interpretojnë si aludim për korrigjim të «gabimit të bërë nga periudha e Titos kur tri komunat serbe u futën nën kufijtë administrativ të Kosovës e ato shqiptare nën administrimin e Republikës serbe». Ndaj këtij opsione tashmë janë mobilizuar kundërshtarët jashtë e brenda:
KUNDËRSHTARËT BRENDA – Argumentimet mund të përmblidhen në këto pika: 1. Serbia do ta marrë Veriun dhe Kosova do mbetet vetëm me një ulëse në OKB dhe hiç më shumë. 2. Kosovës do t’i merret Trepça dhe Ujmani dhe do t’i jepen katundet e varfra të Luginës, të cilat nuk vlejnë për asgjë vetëm se për shtim të problemeve shto këtu edhe mëradikalizmin religjioz. 3. Ndarja e këtillë do të dëmtonte karakterin e shtetit multi-etnik të Kosovës dhe do t’i hapte edhe më shumë rrugë idealit të nacionalistëve shqiptarë për bashkim me Shqipërinë.
KUNDËRSHTARËT JASHTË– Berlini dhe Londra janë më të zëshmet kundër prekjes së kufijve aktual. Nga ato që mund të lexohen brenda arsyetimeve e artikujve të diplomatëve dhe analistëve të afërt me këto dy qendra argumentimi ka këtë strukturë: 1. Një lloj pajtimi i këtillë serbo-kosovar është i rrezikshëm për rajonin ngase në plan afatgjatë do të defaktorizonte një seri shtetesh në Ballkan në favor të dy dominantëve: serbëve dhe shqiptarëve 2. Pa kundërshtimin e trinisë ortodokse Moskë-Beograd-Athinë bashkimi i dy shteteve shqiptare në një konfederatë do të jetë hapi që pason. 3. Nëpërmjet politikave rajonale të BE-së komunat shqiptare dhe ato serbe shumë shpejtë do të krijojnë rajonet (nëpërmjet asociacionit të komunave siç pretendohej ne Kosovë nga BE) përtej-shtetërore nëpërmjet binjakëzimeve e asociacioneve duke bërë ndarjen kulturosferike në dy njësi të mëdha 4. Një politikë e këtillë donë të thotë përgjysmim i Maqedonisë, ndarje faktike e Bosnjës, ndarje ndërmjet serbeve dhe shqiptarëve të Malit të Zi dhe depërtim në Kroaci. 5. Kjo strategji serbo-shqiptare nxit konflikte që mund t’i sponsorizonte me subversion jo vetëm Maqedonia, por edhe Bullgaria, Rumania për ta luftuar dominancën e serbëve dhe shqiptareve në Ballkanin perëndimor në kuadër të BE-së.
IDEALISTËT – Parti minore në Kosovë dhe Shqipëri, sidomos ato që idealin e «bashkimit kombëtar» nuk e paskan për dogmë, porqë besuakan dhe shpresojnë që marrëveshja të ndez, për arsye se, siç thonë: 1. Kjo është mënyra më e shpejtë dhe më pragmatike e konstituimit të shqiptarëve në faktor relevant në Ballkan si dhe çon drejt një bashkimi paqësor dhe pa luftë 2. Kosova nuk humb as materialisht gjë se Trepça dhe Ujmani mund të mbahen dhe edhe po u ndanë në dysh ia vlen për idealin e bashkimit shqiptar, për të cilin luftohet aq gjatë.
VERSIONI I THACIT – Ky si homologu i tij nuk flasin «në detaje» ngase gjithçka na qenka në stadin e ideve e jo të strategjive definitive se për çka do të diskutohet. Madje Thaçi do të bind se nuk do të ketë ndarje por vetëm korrigjim. Më së shumti ngul këmbë se Kosova nuk do të humbë asgjë nga pasuritë e saj, për «shkak të planeve të tij kreative». Thaçi deri më tani vetëm një gjë e thotë qarte: se s’ka marrëveshje pa njohje reciproke, pa Kosovën në institucionet ndërkombëtare dhe pa mbyllje përfundimtare të konfliktit? Vetëm çmimin ende nuk e kallëzon hapur.
ANALIZA E DEBATIT – Nuk ka mundësi që Thaçi dhe Vuçiç të mos e kenë diskutuar deri në fund planin e tyre. Këtë e tregon edhe afërsia e të dy kohëve të fundit, gjë që reflekton një «pajtim me fatin» si dhe përpjekja për të bindur sa më shumë shtete tjera për formën e «marrëveshjes» për të cilën patjetër se paraprakisht janë marrë vesh. Si duket konkretisht marrëveshja e tyre ? Këtë siç duket e dinë vetëm amerikanët, Vuçiçi dhe Thaçi si dhe komisariatet e involvuara në dialog të BE-së. Askush tjetër. Polemika ndodhë duke u bazuar në spekulime, frikë dhe interpretime por jo mbi ndonjë bazë materiale – dokumentare.
Kundërshtarët e «marrëveshjes së supozuar rreth shkëmbimit» argumentojnë kryekëput nga motive utilitariste-materialiste, nga frika se Kosova pa Trepçën dhe Ujmanin – që i konsiderojnë të humbura me një marrëveshje të tillë – do të hynte në një varfëri edhe më të madhe. Këtë e relativizojnë ata që thonë: Deti është në anën tjetër dhe pasuria e një vendi ka kohë tashmë që nuk varret kryesisht nga hekuri dhe plumbi. Resurset natyrore si ashtu nuk do të zhvaten më edhe gjatë si deri më tani.
Kundërshtarët që thirren në multietnicitet nuk kanë asnjë argument bindës. Kosova nuk është shtet multietnik me një përqindje prej 8% joshqiptarësh, 5% të cilëve de facto as që kooperojnë dhe njohin shtetin në të cilin gjenden dhe që mund të jenë përherë destabilizatori dhe bllokuesi i demokratizimit dhe pasurimit të vendit. Ky lloj arsyetimi, sipas kritikëve qenka vetëm maskë e të parit dhe asgjë tjetër.
Një segment i kundërshtarëve thonë se Thaçi i bën gjitha këto për shkak të Gjykatës Speciale. E për këtë, sa për Gjykatën, shtohen zërat intern që thonë se është një fiasko e llojit pasi u ngrit mbi një mit që s’paska ekzistuar.
Ndërkombëtarët ndërkaq kanë arsyetime më serioze dhe të ngritura nga analiza të shumta se pse janë kundër që dy popujt, shqiptarët dhe serbët si dy kulturosfera të jenë faktorët dominantë të Ballkanit perëndimor. Kanë frikë. Kjo frikë duhet të hulumtohet, ngase ato që thonë se e bëjnë ngase besojnë se sa më shumë shtete e njësi në Ballkan aq më mirë kontrollohen nga Brukseli nuk e ka bazën e nevojshme të argumenteve për t’u pranuar si e tillë. Më shumë do jetë frika nga krizat në Maqedoni, Bosnjë e Mal të Zi apo jo? Qendrat si Gjermania dhe Britania e Madhe asistohen verbalisht nga politikanë e parti të brendshme, të cilat kërcënojnë se do bëhet luftë në Kosovë. Verbalisht ngase potencial e rrezik për luftë nuk ka gjersa të jenë amerikanët aty brenda, ata që edhe de facto dhe me krye-iniciativën e tyre bënë këtë Kosovë siç është sot. Pra janë vetëm britma kaçakësh të lazdruar ballkanik e hiç më shumë. E amerikanët thonë: Po! bën që të korrigjohen kufijtë.
KONKULZIONE
Pritet që kahja e «diskursit» të ndryshojë pasi që ndonjë propozim-marrëveshje të jetë mbi tavolinë. E këtë nuk mund ta bëjnë dy njerëz vetë; qofshin ata presidentë apo diçka tjetër. Deri tek kjo fazë mirëpo nuk vjen nëse Vuçiçit i ndodhë siç thotë Shesheli e Thaçit siç duan ata që deri dje moto në flamur kishin vetë «bashkimin kombëtar».
Një gjë është e qartë: Kosova nuk mbijeton pa tërheqjen serbe ose vetëm me dhunë mund ta fusë Veriun në kontroll dhe t’i shpall luftë Serbisë. Që të dyja shtetet nuk do të hyjnë ne BE e askund tjetër. Kosova do të mbetet me kushtetutën e Athisaarit, e cila e shpall të pavarur por pa kompetenca as që ta revidojë kushtetutën e saj. Një marrëveshje duhet. E si do të jetë ajo varret nga serbet dhe kosovarët. Nëse duan patjetër të jetojnë bashkë le të bëhen një – në vazhdimin e krizës historike. Shtohen zërat neutral jashtë që janë të mendimit se: «Nëse secili prej tyre do të jetë në shtëpinë e vetë pa qenë ne sherr me fqinjin atëherë duhet të merren vesh». Duhet një Marrëveshje! Dhe këtë do ta përcaktojnë ata që marrin pjesë në të e jo ata që bëjnë demagogji dhe kërcënojnë pa ditur as se si mund të dukej marrëveshja.