Medresja si karrem

Nxënësit e Medresesë “ISA BEU” që protestuan kundër politikave të Shaqir Fetait i cili assesi t’ia dalë që ta akreditojë këtë vatër arsimore dhe të mos kenë problem medresantët për t’u regjistruar nëpër fakultetet e universiteteve të vendit, kohëve të fundit po kërcënohen dyfish: me thyerje të notës së sjelljes për shkak të protestimit si dhe me largim nga shkolla nëse i tregojnë dikujt për këtë masë disiplinore

Nga Nurxhan Sejfullahi

Çka i duhet Shaqir Fetait Medresja e Shkupit? Është e paqartë se pse “insiston” aq shumë për akreditimin e Medresesë derisa çdo vit numri i të interesuarve për t’u shkolluar në Medrese po bie në mënyrë drastike.
Që kur u instalua nga pushteti politik në krye të BFI-së Shaqir Fetai është bërë një pengesë e patejkalueshme për të gjithë ata që dëshirojnë të pajisen me diturinë bazë për fenë islame dhe pastaj, pas pjekurisë, të vazhdojnë atje ku kanë dëshirë. Kjo dëshirë nuk po u plotësohet pasi që ekziston një vendim qeveritar që i pengon medresantët të vijojnë studimet, madje këtë pengesë e kanë edhe për të vazhduar në Fakultetin e Shkencave Islame!
A e keni parë ndonjëherë Shaqir Fetain tek brengoset për këtë padrejtësi dhe për këtë shkelje institucionale të të drejtave të medresantëve? A e ka ngritur diku zërin Shaqir Fetai? A ka pritur ndonjë nga asociacionet për të drejtat e njeriut siç i pret disa brithyer që i shkojnë për t’u fotografuar me “manikinin” tek pijnë çaj rusi? A ka kontaktuar me avokatin e popullit, me dikë nga Komiteti i Helsinkut, a ka kontaktuar me shoqatën e nxënësve të shkollave të mesme; a mos i ka organizuar hoxhallarët që një të premte të flasin e ta ngrisin zërin të gjithë hoxhallarët në qyrsi! A mos ka thirrur për ndonjë protestë para kuvendit e para qeverisë! Jooo, nuk guxon se mund ta hajë ndonjë shkop b…
Shaqir Fetai nuk guxon t’ia prishë pushtetit politik, madje nuk dëshiron që këtij pushteti t’i bie as kokrra e pluhurit. Edhe sikur të mbyllet fare medresja, madje edhe FSHI, Shaqir Fetai vetëm duhet t’i duartrokasë pushtetit politik, sepse, ky mendon dhe funksionon për këtë pushtet e jo për Medresenë!
Ky qëndim idiotik i Shaqir Fetait, ka nisur t’i depersonalizojë edhe arsimtarët e Medresesë, edhe personelin teknik të kësaj vatre arsimore! Meqë numri i nxënësve po bie vit për viti, si pasojë e emigrimit, meqë numri i nxënësve po bie vit për viti si pasojë e pamundësisë për të vijuar studimet e mëtejme, Shaqir Fetai ka kërkuar nga profesorët që të vihen në aksion dhe të sigurojnë nxënës, ndryshe, do të ngelin pa punë, sepse do të duhet të mbyllen paralele! Tani, profesorët po u bëjnë presion hoxhallarëve që të kërkojnë nga prindërit që të dërgojnë fëmijë në medrese, pavarësisht që u nxihet jeta atyre, sepse, të përfundoshë karrierën vetëm me një Medrese është gjë e trishtë. Shaqir Fetai nuk e ka Medresenë për të përgatitur kuadër profesional për nevojat e BFI-së, sepse tashmë këto nevoja janë përmbushur katërcipërisht, por e ka për t’i mbajtur në punë profesorët e medresesë, sepse, nëse ngelin pa punë automatikisht kalojnë në armiqësi me Shaqir Fetain. Kjo e tmerron këtë avdall dhe jo mospasja mundësi e medresantëve për të vijuar studimet akademike.
Aktualisht, në BFI ka me dhjetra pensionistë që vazhdojnë të punojnë, madje ka pensionistë që marrin pension por që akoma janë të angazhuar në BFI dhe që marin rrogë! Sepse, këta pensionistë puthadorësh janë marioneta të Shaqir Fetait i cili e di fare mirë se nëse i dalin marionetat nga dora, përfundon loja!
Në anën tjetër, janë dhjetra e qindra medresantë që nuk i shërbejnë BFI-së, që janë të kyçur nëpër administratë e nëpër punëra të shtetit, janë me dhjetra e qindra të tjerë, madje me fakultete teologjike e me master, që presin të gjejnë ndonjë punë, që nuk ftohen të japin kontribut në BFI vetëm për faktin që nuk e pranojnë Shaqir Fetain dhe që nuk e bëjnë hesap as për roje magazine!
Çuditërisht, asnjë nga institucionet fetare të vendit nuk insiston dhe nuk pranon që shkollat e tyre të akreditohen nga shteti. Nuk duan që programet shkollore t’ua diktojnë politika, nuk duan që shteti t’i fusë duart nëpër shollat e tyre të mesme fetare. Ndërsa këtë kënaqësi mezi pret ta përjetojë Shaqir Fetai! Faqeziu mezi pret që Medresenë ta fusë nën sqetull të pushtetit politik i cili, jo që nuk ka lidhje me islamin por që nuk e duron fare islamin. Kjo arpiori do të ndikonte në rrënimin e institucionit të fitrit dhe të zeqatit si dhe të kontributeve të tjera, sepse, deri më sot i ka kërkuar këta kontribute për mirëmbajtjen e Medresesë! Mezi pret financa nga shteti, sepse, burimin kryesor, vakëfin, si premisë për zhvillimin e jetës fetaro-arsimore në vend, e ka shkatërruar tërësisht. Për të gjithë këto probleme tash e sa vite na flet e na sinjalizon Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI, porse myslimanët e vendit sikur nuk dëshirojnë të vetëdijësohen. Këta myslimanë akoma nuk kanë parë gjë, akoma nuk janë të vetëdishëm se çfarë do t’i gjejë me Shaqir Fetain. Ky është i gatshëm të pranojë dhe të kontribuojë deri në polarizim të skajshëm brenda familjar. Ky nuk do të kënaqet përderisa nuk do të shikojë se si djali ngre patllakun kundrejt babës apo, anasjelltas. Sepse, një të riu apo një të reje t’ia mbyllish të gjitha mundësitë e shkollimit akademik, kjo vërtet që trazon mallkime mbi gjithkë që bëhet shkaktar të mbarohet një shkollë e mesme pa kurrfarë perspektive. Dështimi dhe rrënimi i BFI-së e ka emrin Shaqir Fetai!

Leave a Reply