Merkel dhe Von der Leyen mbështesin Turqinë: Marrëveshja për emigrantët duhet të zhvillohet më tej

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaruan se marrëveshja për emigrantët ndërmjet BE-së dhe Turqisë është e rëndësishme dhe duhet të zhvillohet më tej.

Angela Merkel dhe Von der Leyen mbajtën një konferencë të përbashkët shtypi në Berlin, kryeqytet i Gjermanisë.

Shefja e qeverisë gjermane vuri në pah se Turqia pret një numër shumë të madh refugjatësh.

“Marrëveshja është e rëndësishme dhe duhet të zhvillohet më tej. Turqia po bën një punë fantastike duke pritur 3,7 milionë refugjatë sirianë. Turqia e meriton mbështetjen tonë”, tha ajo.

Gjithashtu Merkel njoftoi se çështja e Unionit Doganor do të diskutohet në Samitin e BE-së, më 24-25 qershor.

Kurse Von der Leyen, presidente e KE-së, theksoi nga ana e saj se në ditët e fundit kanë pasur shumë bisedime dhe takime me palën turke.

“Së fundmi, unë bisedova dje me Presidentin Recep Tayip Erdogan. Klima, Unioni Doganor dhe marrëveshja për emigrantët do të diskutohen në Samitin e BE”, konfirmoi ajo.

Von der Leyen u ndal edhe mbi refugjatët sirianë, të cilët po strehohen në Turqi prej gati 10 vitesh.

“E rëndësishme këtu është që ne të mbështesim Turqinë. Ka 3,7 milionë refugjatë sirianë në Turqi. Njerëzit atje duhet të kenë një perspektivë. Kjo është e rëndësishme për ne. Unë do ta ngre këtë çështje në Këshill”, potencoi zyrtarja e lartë evropiane.

Leave a Reply