Washingtoni dhe Berlini kanë kritikuar ashpër qasjen e presidentit francez ndaj Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Në një intervistë për prestigjozen “The economist” e cila është publikuar një ditë më parë, Emmanuel Macron ka deklaruar se mungesa e udhëheqjes amerikane po shkakton “vdekjen klinike” të NATO-s dhe se Bashkimi Europian duhet të fillojë të veprojë si një fuqi strategjike botërore.
Kancelarja gjermane Angela Merkel e komentoi si drastik qëndrimin e shefit të Elizesë duke shtuar se këndvështrrimi që ajo ka për bashkëpunimin në NATO është krejtësisht i ndryshëm. “Nëse kemi probleme, duhet të bashkohemi dhe jo të japim gjykime gjithëpërfshirëse.”- u shpreh Merkel.
Ndërsa sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, pranoi se NATO duhet të rritet dhe të ndryshojë duke u përballur me realitetet dhe sfidat e së tashmes por nënvizoi se aleanca ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm strategjik dhe nuk mund të vihet në dyshim efektiviteti i saj.
Presidenti francez ka rikthyer edhe njëherë në vënendje qëndrimin e tij për reformimin e BE duke theksuar se është i gatshëm për hapjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin nëse arrihet reforma muajt e ardhshëm dhe nëse vendet përmbushin kushtet e vendosura.
“Nuk dua asnjë anëtar tjetër të ri pa u reformuar vetë Bashkimi Europian. Për mua, ky është një parakusht i sinqertë dhe i domosdoshëm.”-ka deklaruar Macron.