Kancelarja gjermane, Angela Merkel theksoi se nuk ishte dobësuar nga dështimi i regjistruar gjatë zgjedhjeve rajonale të partisë së saj konservatore duke u shprehur shumë optimiste para bisedimeve të vështira për formimin e qeverisë së ardhshme.
”Konservatorët i fillojnë këto negociata me besimin se është e qartë se ne jemi forca politike më e rëndësishme e vendit”, deklaroi Merkel në një konferencë shtypi.
Partia e saj CDU regjistroi dje një kundërperformancë gjatë zgjedhjeve në Saksoninë e Poshtme (veriperëndim), ku u la pas nga socialdemokratët e SPD-së me 36,9 për qind të votave kundër 33,6 për qind.
“Jam shumë optimiste për këto bisedime me miqtë e CDU-së dhe CSU, partia bavareze, aleate e Merkel”, theksoi kjo e fundit.
“Nuk e shikoj rezultatin në Sanksoninë e Poshtme si një gjendje dobësie”, nënvizoi kancelarja duke kujtuar se CDU-ja kishte fituar në pranverë tre zgjedhjet e fundit tajonale.
Konservatorët e Merkel, që kryesuan në zgjedhjet legjislative të 24 shtatorit, por me një rezultat të ulët fillojnë të mërkurën dhe të premten negociatat me liberalët dhe ekologjistët në përpjekje të formimit të qeverisë së ardhshme gjermane.
Puna pritet tashmë të jetë e vështirë për kancelaren pasi mosmarrëveshjet mbi temat strategjike si Evropa, fiskaliteti, imigracioni apo politika e huaj janë të shumta.
Dhe nëse ajo nuk arrin në muajt e ardhshëm të formojë këtë ekip të pazakontë, të quajtur “xhamajkan” për shkak të ngjyrave që simbolizojnë partitë dhe që janë të njëjta me ato të flamurit të ishullit të Karaibeve zgjedhje të reja mund të zhvillohen, përcjell Atsh.
“Kjo nuk do të jetë e lehtë”, theksoi Simone Peter, bashkëpresidente e të Gjelbërve.
“Kjo nuk do të jetë e lehtë për konservatorët pas kësaj fundjave sepse CDU e pësoi edhe njëherë një dështim”, nënvizoi ajo.
“Merkel është prekur rëndë dhe për mendimin tij, ajo është refuzuar gjatë zgjedhjeve legjislative. Kjo është një atmosferë e fundit të epokës”, theksoi deputeti i SPD-së, Carsten Schneider, partia e të cilit, që qeverisi për tetë vjet me Merkel (2005-2009 dhe 2013-2017), vendosi të dalë në opozitë pas humbjes historike në zgjedhjet legjislative ku mori 20 për qind të votave.