Në takimin ndërmjet Kancelares Merkel dhe kryeministrit Isa Mustafa është ngritur çështja e liberalizimit të vizave. Në konferencën për mediet, Merkel ka thënë se liberalizimi i vizave do të ndodhë kur të plotësohen kushtet.
Gjermania edhe një herë dëshmon mbështetjen e plotë ndaj shtetit të Kosovës, por Kancelarja Angela Merkel nënvizoi se, institucionet e Kosovës duhet të përmbushin detyrimet e tyre. Delegacioni i Kosovës është pritur sot në Berlin me nderimet më të larta shtetërore, me gardën e nderit dhe intonimin e himneve respektive.
Siç raporton “Deutsche Welle”, Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, e disa ministra të tjerë, biseduan për më shumë se një orë e gjysmë.
“Një prej detyrimeve më të rëndësishme të Kosovës është të çojë deri në fund dialogun me Serbinë dhe që ky dialog të rezultojë me arritjen e një marrëveshjeje”, theksoi Kancelarja Merkel, në paraqitjen para gazetarëve, së bashku me kryeministrin Mustafa.
Ndër detyrimet e tjera, që Kosova duhet të kryejë në mënyrë të denjë, janë edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe themelimi i Gjykatës Speciale. Në këtë takim është prekur edhe çështja e azilkërkuesve kosovarë, të cilët kanë ardhur kohët e fundit në mënyrë masive në Gjermani.
“Azilkërkuesit kosovarë në Gjermani nuk kanë mundësi për azil, sepse vetëm 1,1% prej tyre kanë marrë deri tani një përgjigje pozitive. Ndaj, me kryeministrin kemi rënë darkod, që të mbështesin sa më shumë zhvillimin e Kosovës, në mënyrë që problemet e tyre të zgjidhen në Kosovë dhe njerëzit të mos detyrohen të ikin në vendet e tjera”, theksoi Merkel.
Kryemnistri i Kosovës falënderoi Kancelaren për këtë vizitë, në kohën kur në Bashkimin Evropian ka edhe probleme të tjera shumë akute. Që në fillim, ai pranoi se në Kosovë “ka probleme të shumta, të cilat duhet të zgjidhen”.
“Ne kemi probleme të mëdha ekonomike dhe na duhet ndihmë, në veçanti në investime. Ndaj ftoj investorët, që të investojnë në Kosovë”, theksoi Mustafa, duke shtuar se pala kosovare është në tërësi e përkushtuar për arritjen e marrëveshjeve në dialogun me Serbinë.
Kancelarja gjermane i ka përkrahur angazhimet e Kosovës për zgjidhjen e problemeve me korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe themelimin e Gjykatës Speciale, – bëri të ditur Mustafa, i cili theksoi se nuk ekziston asnjë shkak, që kosovarët të ikin nga vendi dhe të kërkojnë azil në Gjermani. “Kosova është një vend i sigurt dhe ne do t’i zgjidhim problemet tona, në mënyrë që të krijohen kushte sa më të mira për të gjithë qytetarët”, tha ai.
Kancerlarja gjermane, Angela Merkel nënvizoi se, Serbia dhe Kosova mund të përparojnë drejt Bashkimit Evropian, vetëm pas normalizimit të raporteve mes tyre. Ndaj, Gjermania është shumë e interesuar, që dialogu të rezultojë me sukses dhe që këto vende të shënojnë përparime në rrugën e integrimeve.
“Sa i përket liberalizimit të vizave për kosovarët, kjo varet nga plotësimi i kushteve për këtë hap”. Kancelarja Merkel tha se, Gjermania është e interesuar, që ky rajon të vazhdojë rrugën e integrimeve evropiane dhe është “shumë e interesuar, që të ruhet stabiliteti në këtë rajon”.
Merkel bëri të ditur se, së shpejti do të vizitojë edhe Shqipërinë, Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën, ku do të njihet për së afërmi me gjendjen në këtë shtete të Ballkanit Perëndimor. “Kjo dëshmon se Gjermania ësthë e interesuar për stabilitet në këtë rajon”, tha ajo.