Të mërkurën Eurogrupi vendos për Greqinë

Takimi i jashtëzakonshëm i Eurogrupit, i thërritur për të shqyrtuar propozimin e fundit të palës greke, u mbyll pa marrëveshje.

Kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem tha se, Greqia do të dorëzojë propozimin e saj ditën e mërkurë dhe ministrat e Financave të Eurozonës do të mblidhen për t’i diskutuar. Ai paraljamëroi se një program i ri ndihme mund të shoqërohet me masa shtrënguese akoma më të ashpra.

Ndërkohë, në Athinë mijëra grekë u mblodhën në sheshin “Sintagma” në mbështetje të qeverisë së tyre. Me pankarta në duar ata apelojnë që t’i thuhet jo masave shtrënguese të propozuara nga huadhënësit ndërkombëtarë.

Qeveria greke refuzon të paguajë 1.6 miliardë euro për llogari të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe kërkon një marrëveshje të re brenda BE-së.

Por nga Bashkimi Europian kjo shihet si një paketë e tretë huaje dhe reagimi i kancelares gjermane, Angela Merkel ishte i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë.

“Nuk do të diskutojmë një paketë të tretë ndihme. Jo para referendumit”, tha ajo.

Leave a Reply