Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me një deklaratë ku ka përçuar tre mesazhe, një për komisionerët, një për klasën politike dhe një tjetër për qytetarët.
Vetë kreu i KQZ-së, Klement Zguri doli rreth orës 15:00 dhe mesazhi i parë i tij në deklaratën për mediat ishte për Komisionerët.
“U bëj thirrje komisionerëve dhe thirrja ime është e drejtpërdrejtë për ta dhe u kujtoj që ligji elektoral dhe Kodi Zgjedhor parashikon ndëshkime të rënda për çdo person që cenon procesin zgjedhor”, tha ai.
Mesazhi i dytë ishte për qytetarët dhe institucionet ligjzbatuese.
“Jam këtu për t’u bërë thirrje qytetarëve që të shmangin incidentet që kanë lidhje me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. U bëj thirrje institucioneve që të ndjekin dhe marrin masa për të garantuar proces të lirë, të ndershëm dhe transparent”, deklaroi ai.
Mesazhi i fundit i kreut të KQZ-së ishte ai drejtuar klasës politike, ndoshta nisur nga deklarata e ish-kreut të LSI-së Ilir Meta nga Lezha.
“Liderët politikë të respektojnë ligjin, përkatësisht nenin 77-të të Kodit Zgjedhor, ku thuhet se heshtja zgjedhore respektohet deri në orën 19:00”, deklaroi ai.
Zguri tha se KQZ garanton të gjithë zgjedhësit dhe qytetarët se procesi ndiqet hap pas hapi nga ky institucion në rang vendi.