Presidenti Ilir Meta ktheu një tjetër ligj për rishqyrtim në Kuvend. Bëhet fjalë për ligjin pë “Metrologjinë”, i cili sipas presidentit, ai shkel Kushtetutën.
“Kam vendosur kthimin në Kuvend të ligjit nr. 126/2020 “Për metrologjinë”,pasi ky ligj jo vetëm që bie ndeshme parimet themelore të mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, por ai në mënyrën më flagrante sanksionon konkurrencën e pandershme dhe rrezikune shtimit të praktikave korruptive; ligjëron ekskluzivitetin e ushtrimit të shërbimeve publike nga subjekte të caktuar privatë duke krijuar vetë ligjvënësi monopole, në cenim të tregut të lirë e konkurrues; dhe është shembulli se si ligjvënsi nuk ushtron më veprimtarinë dhe vendimmarrjen në mbrojtje të interesit publik, por në mbrojtje të një pakice subjektesh private.”
Nga ana tjetër, kreu i shtetit kërkon nga SPAK të nisë hetimet për të verifikuar se si është ndërmarrë dhe shqyrtuar nisma nga qeveria.
“Cilat kanë qenë arsyet reale dhe autorët që e kanë shtyrë Kuvendin e Shqipërisë të pranojë këtë gjendje të rëndë, duke vendosur përpara përgjegjësisë të gjithë ata që kanë ndihmuar, lehtësuar dhe kanë bërë të mundur që kjo nismë të shohë dritën e miratimit në Kuvend.”
Sipas Ilir Metës, përmes këtij ligji, shteti heq dorë nga një shërbim tërësisht publik.
“Përmes këtij ligji:
– Një shërbim shtetëror, pa konkurrim, pa kritere të përcaktuara në ligj, pa studim fizibiliteti, ekonomik, social e mjedisor, me vendim të një Drejtori, mund t`i jepet lehtësisht me autorizim një privati.
– Ky shërbim është i detyrueshëm për t`u marrë nga subjektet që ushtrojnë aktivitet në një fushë të caktuar.
– Subjektet private në vijim duhet të shkojnë të marrin shërbimin/verifikimin pranë subjektit “të autorizuar” privat.
– Ndaj subjektit privat “të autorizuar”, nuk ushtrohet asnjë kontroll i mirëfilltë në rastet e abuzimeve.
– Subjekti “i autorizuar” privat nuk kalon dot asnjë kontroll të plotë, edhe nëse në marrëveshje të ndaluara me subjekte të tjera private, nuk e ushtron siç duhet funksionin e deleguar, në dëm të interesave të konsumatorëve”, thuhet në dekretin e presidentit.