Kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka marrë pjesë në një takim me të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim në Njësinë administrative nr. 7 në Tiranë. Të pranishëm në këtë aktivitet ishte deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Floida Kërpaçi, etj.
Në fjalën e tij përpara të rinjve Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim u ndal domosdoshmëria e stabilitetit të vendit duke shprehur se LSI është forca politike që e garanton këtë.
“Lëvizja Socialiste për Integrim qëndron qartë si faktori më i qëndrueshëm më stabilizues, më i arsyeshëm më bashkëpunues, si një garanci për stabilitetin e vendit, për sigurinë e vendit dhe të institucioneve dhe qytetarëve shqiptarë. Ne asnjëherë nuk kemi vënë interesat e ngushta dhe të momentit të LSI-së përpara interesave të vendit. Kjo është ajo që duhet të udhëheqë çdo forcë politike dhe çdo politikan të përgjegjshëm”,- tha Meta.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim u ndal gjithashtu edhe tek nevoja që duhet për një arsimim më të mirë për rininë tonë në mënyrë që Shqipëria evropian të mos jetë Shqipëria që braktiset por vendi që ofron mundësi të reja:
“Ne e bëjmë këtë me shumë bindje, përgjegjshmëri dhe dashuri, sepse për ne të rinjtë janë të parët dhe ne duam që të gjithë të kenë një shans për një arsim më të mirë dhe për punë më të mirëpaguara këtu në vendin tonë. Shqipëria evropiane nuk duhet të jetë një Shqipëri që braktiset, duhet të jetë një Shqipëri që ofron mundësi të reja, shanse të reja për të gjithë ata që jetojnë këtu dhe për ata shqiptarë që e duan vendin e tyre”,- nënvizoi z. Meta, duke shtuar se LSI gjithnjë e ka vënë theksin te rëndësia e bashkëpunimit, tek forcimi i institucioneve.