Michael Cohen pritet të dëshmojë lidhur me pagesat në emër të ish-Presidentit Trump

Ish-avokati i ish-Presidentit Donald Trump, Michael Cohen pritet të dëshmojë të Hënën përpara një jurie të madhe në Manhatan që po heton mbi pagesat që ai koordinoi dhe bëri në emër të ish-presidentit.

Dy persona që kanë dijeni për çështjen konfirmuan se zoti Cohen do të dalë para jurisë së madhe. Ata nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht për procedurat e jurisë së madhe, prandaj e bënë një gjë të tillë në kushtet e anonimitetit.

Dëshmia me dyer të mbyllura e zotit Cohen vjen në një kohë kritike, ndërsa zyra e prokurorit të qarkut të Manhatanit po shqyrton mundësinë e ngritjes së akuzave kundër zotit Trump.

Zoti Cohen, dikur një njëri i afërt i zotit Trump që më pas u kthye në kundërshtar të tij, ka të ngjarë të paraqesë detaje të rëndësishme për përfshirjen e mundshme të kandidatit të atëhershëm republikan për president në pagesat e bëra në javët e fundit të fushatës të vitit 2016, për t’u blerë heshtjesn dy gra që pretendonin se kishin patur lidhje me të.

Ish-avokati i zotit Trump, Cohen u ka dhënë prokurorëve prova, përfshirë inçizime të bisedave që ai kishte bërë me avokatin e njërës prej grave, si dhe emaile dhe mesazhe me tekste. Ai gjithashtu ka inçizime të një bisede gjatë së cilës ai dhe zoti Trump flasin për një marrëveshje për të paguar gruan tjetër përmes tabloidit National Enquirer.

Prokurorët mesa duket po përpiqen të përcaktojnë nëse zoti Trump ka kryer vepra penale me mënyrën se si janë bërë pagesat ose si janë regjistruar në dokumentacionin financiar të Organizatës Trump.

Një akuzë e mundshme do të ishte falsifikimi i të dhënave të biznesit, një shkelje e lehtë, me përjashtim të rastit nëse prokurorët mund të provojnë se ishte bërë për të fshehur një krim tjetër. Asnjë ish-president i Shteteve të Bashkuara nuk është akuzuar ndonjëherë për kryerjen e një krimi.

Avokati i zotit Trump, Joseph Tacopina tha të hënën në një intervistë në televizionin ABC, se nuk ka gjasa që ish-presidenti të pranojë thirrjen dërguar nga prokurorët javën e kaluar, për të dëshmuar para jurisë së madhe.

Nuk kemi në plan të marrim pjesë në këtë proces,” tha avokati Tacopina. “Është një vendim që nuk e kemi marrë ende. Nuk është dhënë ndonjë afat, kështu që do të presim dhe të shohim.”

Zoti Tacopina po akuzon gjithashtu zyrën e prokurorit të qarkut të Manhatanit për shkelje, duke shkruar në një letër drejtuar inspektorit të përgjithshëm të qytetit të Nju Jorkut se prokurorët janë përfshirë në një përpjekje “të hapur dhe antikushtetuese” për të dëmtuar shanset e zotit Trump në zgjedhjet presidenciale të 2024. Avokati Tacopina po i kërkon autoriteteve të hetojë atë që ai e konsideron një “ndjekje penale qartësisht politike”.

Avokatët e zotit Trump janë përpjekur disa herë të bindin gjyqtarët në New York dhe Florida të ndërhyjnë ose të ndalojnë hetimet ndaj zotit Trump dhe Organizatës Trump, me argumentin se ato janë të motivuara politikisht. Të gjitha këto përpjekje kanë dështuar.

Zoti Cohen shërbeu dënim me burg pasi pranoi fajësinë në vitin 2018 për akuza federale, përfshirë shkeljet në financimin e fushatës, koordinimin e pagesave për aktoren e filmave pornografikë, Stormy Daniels dhe modelen Karen McDougal në këmbim të heshtjes. Atij i është ndaluar gjithashtu të ushtrojë profesionin.

Avokatët e zotit Trump mund t’i përmendin këta faktorë në një përpjekje për të minuar besueshmërinë e zotit Cohen, nëse ish-presidenti akuzohet dhe ish-avokati i tij del për të dëshmuar në gjyq.

Zoti Cohen është takuar rregullisht me prokurorët e Manhatanit javët e fundit, përfshirë një seancë njëditore të premten për t’u përgatitur për paraqitjen e tij para jurisë së madhe.

Juria ka dëgjuar prova që nga janari në një fazë që Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg e ka quajtur “kapitulli tjetër” i hetimit shumëvjeçar të zyrës së tij ndaj zotit Trump. Por pagesat e parave për të siguruar heshjen, janë diçka e njohur.

Si prokurorët federalë, ashtu edhe paraardhësi i zotit Bragg në zyrën e Prokurorit të Manhatanit, Cyrus Vance Jr., kanë bërë hetime të kujdesshme për pagesat, por nuk kanë ngritur akuza ndaj zotit Trump.

Ish-presidenti vazhdoi të sulmojë hetimin në mediat sociale të premten, duke e quajtur rastin një “Mashtrim, Padrejtësi, Tallje dhe Politizim të plotë dhe të përgjithshëm të agjencive të zbatimit të ligjit për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale!”

Zoti Cohen i kishte paguar zonjës pagoi Daniels 130,000 dollarë përmes kompanisë së tij dhe më pas u rimbursua nga Trump, kompania e të cilit i regjistroi rimbursimet si “shpenzime ligjore”.

Pagesa prej 150,000 dollarësh ndaj zonjës McDougal u bë nëpërmjet botuesit të tabloidit National Enquirer, i cili hoqi dorë nga raportimi për këtë rast.

Sipas prokurorëve federalë që akuzuan zotin Cohen, Organizata Trump më pas e “rriti” shifrën e rimbursimit ndaj tij, për pagesën e zonjës Daniels për “qëllime tatimore”, duke i dhënë atij 360,000 dollarë plus një bonus 60,000 dollarë, një total prej 420,000 dollarësh./VOA

Leave a Reply